Enxhi Ngota (Foto instagrami)
Këngëtarja e muzikës live nga qyteti i Durrësit Enxhi Ngota ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në degën e kantos. E ka nisur muzikën që në moshën 6 vjeçare, kur talentin e saj e zbuloi artisti i ndjerë Dorian Nini, e më pas mori pjesë në “Voice Kids” ku arriti deri në gjysmëfinale. Enxhi ka studiuar për kanto në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe luan në piano, kitarë, flaut, por kanto ishte primare për të. Enxhi këndon muzikë live prej 10 vjetësh. Pas një shkëputje nga muzika gjatë periudhës së studimeve në Portugali për Administrim Publik, ajo vijoi interpretimet live dhe së shpejti do të prezantojë një projekt artistik në qytetin e Durrësit.
Enxhi Ngota në intervistë për Radio Ejani
Këngëtarja e muzikës live nga qyteti i Durrësit, Enxhi Ngota ka kryer studimet në Liceun Artistik “Jan Kukuzeli” në degën e kantos. Ajo e ka nisur muzikën në moshën 6 vjeçare, kur talentin e saj e zbuloi artisti i ndjerë Dorian Nini. Gjithashtu ka qenë pjesë e “The Voice Kids” ku arriti deri në gjysmëfinale. Më pas Enxhi studioi për kanto në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës. Ajo ka studiuar dhe luan në disa instrumenta si piano, kitarë dhe flaut, të cilat kanë qenë sekondare në periudhën e shkollës, pasi kantoja ishte primare për të. Momentalisht Enxhi, këndon muzikë live prej 10 vjetësh dhe ka sjellë disa covera të njohur, por edhe këngën e saj të parë “Confusion”, së cilës i ka shkruar tekstin dhe muzikën.
Pas një shkëputjeje nga muzika gjatë studimeve në Portugali për Administrim Publik, ajo vijoi interpretimet live. Së shpejti Enxhi do të sjellë materiale të reja muzikore, si edhe një projekt artistik në qytetin e Durrësit.
CMG: Enxhi e ke nisur muzikën që në moshë të vogël, çfarë kujton nga ajo kohë?
Enxhi Ngota (Foto nga instagrami)
Enxhi Ngota: Ka qenë një histori e bukur dhe kam kënaqësi sa herë që e tregoj, kam të njëjtin emocion. Babai im e njihte të ndjerin Dorian Nini dhe gjatë një konkursi në shkollë, babi i tregoi që këndoja. Doriani, pasi më dëgjoi i tha babit, që zëri im i dukej mjaft i stërvitur, nuk i besohej që deri në atë moment unë nuk kisha punuar me ndonjë profesionit për vokalin. Aty e fitova sigurinë për të vazhduar përpara.
CMG: Sa vjeç ishe në atë kohë dhe a të kujtohet kënga e parë që ke kënduar?
Enxhi Ngota: Në atë kohë isha 6 vjeç dhe kam kënduar tre këngë për fëmijë, shkova shumë e përgatitur dhe gjithçka shkoi shumë mirë. Kisha shumë të dëshirë që të merrja pjesë tek projekti televiziv “Kripëmjaltëzat”, por nuk shkova se isha shumë e vogël, kjo më mbeti një ëndërr në sirtar. Nisur nga dëshira ime, mami dhe babi më regjistroi tek spektakli i talenteve për fëmijë “The Voice Kids”. Në momentin që kam hipur për herë të parë në skenë, aty ishte një bindje e dytë, që unë bëj për këtë punë, pra i përkas këtij vendi.
CMG: Kur me interpretimet live?
Enxhi Ngota (Foto nga instagrami)
Enxhi Ngota: Pas spektaklit “Voice kids” motra ime ishte shtysa e parë, që u mbushi mendjen prindërve që unë të shkoja në shkollën e muzikës. Klasën e tetë e zhvillova në shkollën e muzikës. Aty mendova se, kjo ishte shkolla që unë duhej të isha që në klasë të parë. Aty nisa bashkëpunimin për të interpretuar live. Mami e babi kanë qenë gjithmonë suport për mua. Isha 14 vjeç kur nisa live-n e parë dhe deri në moshën 19 vjeç prindërit nuk kanë munguar në asnjë live timin. Pasi mbarova dy live-t e para me profesorin e kitarë, u njoha me një tjetër artist, i cili pas dy vitesh u bë profesori im i kantos. Gjatë këtyre dy viteve unë studiova për flaut.
CMG: Në sa instrumenta luan?
Enxhi Ngota: Në piano, kitarë dhe flaut.
CMG: A e ke shoqëruar veten me ndonjë instrument ndërsa këndon live?
Enxhi Ngota: Jo, nuk e kam bërë edhe pse e kam menduar shpesh. Sikur më ke lexuar mendjen, sepse momentalisht jam duke punuar për disa projekte të vogla. U bënë 10 vite kur kam nisur të këndoj muzikë live dhe mendoj se tani është momenti për të ardhur me diçka të bukur në publik.
CMG: Studimet e larta nuk i ndoqe për muzikë. A të ka mbetur pishman kjo gjë?
Enxhi Ngota: Në fillim mendova se do më mbetej pishman, por nëse nuk do më pëlqente shkolla që në vitin e parë, mund të ndiqja Universitetin e Arteve. Më pëlqyen shkencat politike dhe u angazhova me aktivitete jashtë shkollore, ndaj e bëra me shumë dëshirë shkollën për Administrimin Publik.
CMG: Gjatë studimeve në Portugali, a të ka shoqëruar muzika?
Enxhi Ngota (Foto nga instagram)
Enxhi Ngota: Me muzikën nuk jam shkëputur për asnjë moment. Madje në Portugali pata rreth vetes disa muzikantë. Kam kontakte me ta dhe kemi lënë disa gjëra pezull për t’i organizuar më vonë. Aty, shkova me disa mikeshat e mia në një lokal dhe ato më detyruan të këndoja. Shkova të këndoja dhe tani është një nga kontaktet që kam edhe sot nga aty me tastjeristin shkoi gjithçka shumë mirë. Krijova kontakte edhe me Dj të famshëm. Gjuhën portugeze e dua shumë, por edhe ushqimin e kanë shumë të mirë. Shkollën e kisha në gjuhën angeleze, por portugalishten duke qenë një natyrë shumë kurioze, fillova ta mësoja vetë.
CMG: Merresh me muzikë, por edhe me profesionin tënd Administrim Publiku. Çfarë i bashkon këto të dyja?
Enxhi Ngota: I bashkon publiku, dashuria ime shumë e madhe për publikun. Unë jam natyrë e dashur dhe kam dëshirë të qesh dhe personat që më rrethojnë duhet të jenë të buzëqeshur. E kam kuptuar këtë virtyt tek vetja, që arrij ta përçoj energjinë dhe forcën e fjalës. E kam kuptuar impaktin shumë të mirë që kam me publikun.
CMG: Gjatë ditës merresh me menaxhimin e biznesit tënd dhe gjatë natës me interpretimin live. Si arrin t’i realizosh me sukses të dyja?
Enxhi Ngota: Kam një energji shumë të madhe dhe gjumin kam kohë që nuk e njoh. Kur u ktheva nga studimet nga Portugalia, mendova që të shkoja të jetoja aty, pasi i kisha krijuar bazat. Por kur u ktheva në Durrës mami dhe babi hapën një klinikë, të cilën kërkuan që ta menaxhoja unë. Mami duke qenë punonjëse e sallës së kirurgjisë, nisi punën për klinikën. Në këtë moment planet e mia për të shkuar në Portugali, ndryshuan.
CMG: Ndërkohë vazhdon të interpretosh live. Si është repertori yt muzikor?
Enxhi Ngota duke luajtur në piano (Foto nga instagrami)
Enxhi Ngota: Unë interpretoj në restorante apo vende të qeta. Të preferuarat e mia janë muzika xhaz dhe baladat, por tek ne nuk pëlqehen aq shumë, por gjithsesi jam munduar t’i përshtatem. Një profesori im i kantos më ka thanë: “Fokusohu më mirë aty ku të përshtatet vokali yt, lëre publikun të të dojë, ashtu si ti di ta bësh mirë atë që di të bësh”. Kjo frazë më goditi dhe bëri të jem e kujdesshme në rrymat unë zgjedh.
CMG: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Enxhi Ngota: Kam menduar për një bashkëpunim, nuk po e them emrin e këngëtarit. Tek kjo këngë unë kam dhënë shpirtin dhe e kam shumë përzemër këtë projekt. Edhe pse kam shumë këngë që po përgatis, kjo është kënga që do vijë edhe me një videoklip të thjeshtë.
CMG: Mos ke menduar për ndonjë album muzikor?
Enxhi Ngota: E kam menduar sepse kam shumë vite që po punoj, por dua të vij me hapa të vegjël e të sigurtë. Shoqëria ime e ngushtë më quajnë “Hana Montana”, pasi ajo ishte ditën fermere, natën muzikante, ndërsa unë jam ditën në klinikë, e natën në muzikë. Pas familjes është shoqëria ime që i dëgjon projektet e reja të miat, janë ata kritikët e mi.
CMG: Po ndonjë projekt me artistët portugezë a ke ndërmend për bashkëpunim?
Enxhi Ngota: Po, e kam edhe një plan më një artist portugez. Kur isha në Portugali dhe ua tregoja demot e mia, pasi doja të dija mendimet e tyre, atyre u pëlqeu kënga dhe vokali im. Kam menduar të vij me një koncert tipi i Christina Aguilera, në stilin pop. Edhe pse më pëlqen muzika klasike, zemrën e kam tek modernja. E kisha në plan për në verë këtë si koncert, por për disa arsye e shtymë për në vjeshtë.
CMG: Ku e sheh veten pas një dekade?
Enxhi Ngota: Mendja ime është tek puna dhe tek muzika, do punoj sa më shumë që një ditë të shkëlqej dhe mendoj se ka ardhur koha, tani është momenti. Veten pas një dekade e shoh një femër në karrierë, por gjithmonë të ndarë në dy drejtime, në muzikë e në menaxhimin e klinikës. Dy vite më parë prezantova ‘orkide beauty line’ një linjë kosmetike, biologjike, e cila ka produkte të kujdesit të lëkurës që vajzat i duan shumë. Çdo gjë është e punuar me dorë, receta është blerë në Itali. Këto produkte janë pëlqyer nga klientët dhe janë kërkuar sërish. Unë pasi bëra dy vite pushim, tani kam bërë furnizimet e para të linjës për ta rikthyer sërish. E shoh veten në drejtimin e kësaj linje kozmetike organike, në drejtimin e klinikës, dhe si muzikante e suksesshme. Shpresoj që të gjitha këto të më plotësohen. Patjetër që duhet shumë punë dhe vullnet, por kjo nuk më mungon.
Intervistoi: Sava Lena