UNHCR: Do të monitorojmë qendrat e emigrantëve në Shqipëri
2024-10-05 11:09:04

Komisioneri për refugjatet (Foto Rtsh)

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, deklaroi se UNHCR-ja do të monitorojë qendrat e emigrantëve që janë ngritur në Shqipëri, pas marrëveshjes së arritur me Italinë, shkruan “RTSH”.

Sipas tij, kjo është detyrë që rrjedh nga Konventat për Refugjatët, por edhe një kërkesë e Italisë, pas shumë kritikave që kanë ardhur lidhur me rrezikun që ekziston për shkeljen e të drejtave të azilkërkuesve.

“Qeveria italiane na ka kërkuar të kontrollojmë nëse janë në përputhje me ligjin. Ne jemi gati të monitorojmë me transparencë dhe pavarësi absolute qendrat për emigrantët që Italia po përgatitet të hapë në Shqipëri. Besoj se qeveria na kërkoi ta kryejmë këtë funksion monitorimi pikërisht për këtë arsye. Dua të theksoj se ky është një funksion i parashikuar nga Konventa për Refugjatët në nenin 35 që parashikon rolin e mbikëqyrjes së Komisionerit të Lartë për Refugjatët për zbatimin e vetë Konventës dhe Italia, e cila e ka nënshkruar atë, duhet të respektojë rregullat e saj”,- u shpreh Grandi.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët tha se do të diskutohet për metodat e realizimit të këtij roli monitorues, që do të tregojë nëse çdo gjë është në përputhje me ligjin.

Ai theksoi se qeveria italiane ka kërkuar të verifikohet që ky operacion shqiptar është në përputhje me ligjin ndërkombëtar.

Sipas marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë janë ngritur dy kampe për të pritur emigrantët në Shëngjin dhe Gjadër, në Lezhë, ku do të trajtohen kërkesat për azilkërkues për llogari të shtetit italian. Këto qendra do të menaxhohen nga stafi italian, të cilët janë udhëzuar që të kenë etikë dhe të bëjnë kujdes me sjelljen e tyre në raport me popullsinë vendase në zonën e kampit dhe vetë emigrantët, pasi do të jenë nën monitorim. (Irma)