Ramazan Këllezi, një jetë kushtuar artit
2024-10-05 13:53:05

Ramazan Këllezi ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një prej familjeve më të vjetra të kryeqytetit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura në Katedrën e Regji-Koreografisë, ku dhe është diplomuar me titullin “Koreograf” në vitin 1987 me rezultate të shkëlqyera. Ka punuar për 8 vjet si drejtor i Shkollës Kombëtare të Baletit në Tiranë, si pedagog në Katedrën e Koreografisë dhe Kantos pranë Akademisë së Arteve, si dhe Drejtor i Pallatit të Kulturës Studenti deri në vitin 2000. Më pas ai emigroi në Kanada, ku nuk u shkëput asnjëherë nga profesioni i tij. Në Kanada ai krijoi grupin e valleve “Shqiponjat e Vogla”, një inisiativë për t’u mësuar fëmijëve, edhe pse të lindur e të rritur në Kanada, vallen e bukur shqiptare dhe traditat tona kombëtare. Ai është vlerësuar me medalje e mirënjohje për kontributin që ka dhënë në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë tonë popullore.

Shqiponjat e vogla ne nje aktivitet (Facebook)

Shqiponjat e vogla ne nje aktivitet (Facebook)

CMG: Jeni lindur, rritur dhe shkolluar në Tiranë, ku besoj sa herë që vini keni nostalgji?

Ramazan Këllezi: Unë në Tiranë vij disa herë në vit dhe kam mall për Tiranën, sepse është vendi ku jam lindur, rritur dhe edukuar, por mbi të gjitha unë rrjedh nga një familje e vjetër autoktone tiranase, një familje me vlera të mëdha qytetare që më bën krenar. Këtë viti, ndryshe nga herët e tjera që kam ardhur në Tiranë, është se më mungon një nga mikeshat e mia më të mira, Lili Cingu. Unë Lilin nuk e kam patur vetëm kolegen time, por e kam pasur edhe mentoren time me aftësitë e pazëvendësueshme që ajo mbart në vete, duke filluar që nga talenti, madhështia dhe bukuria fizike që i kishte dhënë natyra, bukuria shpirtërore, thejshtësia deri në vetmohim më bënte që të vija me shumë qejf në Tiranë sepse takimin e parë gjithmonë e bëja me Lilin. Këtë radhë fatkeqësisht mu desh ta takoja në një vend tjetër dhe ndjehem i dëshpëruar.

CMG: Besoj se mungësën e Lilit e keni ndjerë në Tiranë, që nuk do ta takoje më fizikisht, dhe pse në kujtime e keni gjithmonë

Ramazan Këllezi: Sinqerisht nuk dua ta pranoj mosqenien e saj dhe ekzistencën e saj. Fatkeqësisht është një realitet i hidhur, jam dorëzuar para këtij realiteti. Unë e njoh Lilin që kur kam qenë i vogël në pallatin e pionerëve, kur kërceja me profesor Abedinin, sepse ai ishte i pari që na mëkoi dashurinë për vallen popullore, dhe unë nuk mund mos ta përmend. Jam njohur me Lilin që në hapat e mia të para, ku ajo më përkëdhelte gjithmonë dhe më vlerësonte atë mënyrën e kërcimit tim. Ardhja e Lilit në Kanada ishte dhe lidhja jonë më e fortë, bashkëpunimi ynë. Unë isha i nderuar ta kisha Lilin prezente në provat që bëja me grupin që kam krijuar në Kanada. Kjo lidhje artistike krijoi dhe një lidhje më të madhe shpirtërore e familjare. Ajo ishte e mikpritur jo vetëm në shtëpinë time, ku vajzat dhe djemtë e mi e adhuronin, por dhe gjithë miqtë e saj në Kanada akoma nuk e pranojnë dot humbjen e madhe që kemi pësuar. Lili ishte një model për t’u marrë në konsideratë.

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe grupin e valltareve (Facebook)

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe grupin e valltareve (Facebook)

CMG: Keni dhënë një kontribut të çmuar përsa i përket valles popullore dhe koreografisë në Shqipëri. Si i kujtoni vitet e karrierës suaj artistike në Shqipëri?

Ramazan Këllezi: Sinqerisht ato kanë qenë vite shumë të bukura dhe i kujtoj me shumë nostalgji. Unë pata fatin që të vazhdoj Akademinë e Arteve dhe të isha student i Prof.Dr. Skënder Selimit, i cili është një tjetër ikonë e koreografisë shqiptare, një njeri i mrekullueshëm në të gjitha aspektet. Unë jam krenar që jam student i profesor Skënder Selimit, që ishte një kolos në degën e koreografisë në të gjitha aspektet, nga ana teorike, profesionale dhe e krijimtarisë. Sapo mbarova studimet në Akademinë e Arteve, profesor Skënderi më propozoi në katedër që unë të qëndroja pedagog në këtë shkollë, por pastaj unë u emërova drejtor i shkollës së baletit, fillimisht mësues dhe pas disa muajsh drejtor shkolle.

Ajo që bëra në shkollën e baletit, dashuria e madhe që kisha për profesionin ishte që me këmbëngulje të madhe bëra ndarjen e shkollës së baletit nga liceu artistik, dhe krijova për herë të parë në historinë e shkollës së baletit shkollën koreografike. Ky ishte një hap shumë i madh që na ndihmoi ne të jemi më të përgjegjshëm, por edhe më të kujdesshëm në përgatitjen e kuadrove, sepse tashmë përgjegjësia ishte e jona. Unë isha drejtor i parë i kësaj shkolle, sepse më përpara ishin kryetar dege. Unë e mora drejtimin e shkollës së baletit në kohën kur po ndodhnin ndryshime të mëdha në Shqipëri, kështu që mu desh të bëja një punë të madhe në të gjitha aspeket. Ajo që dua të theksoj më tepër, që krahas ndarjes së shkollës nga liceu artistik, që ishte hapi më i guzimshëm dhe më i miri që bëra, ishte ndryshimi i programeve mësimore. Punova me gjithë koreografët e asaj kohe, që ishin ikonat korografike shqiptare, si profesor Panajot Kanaçi, profesor Agron Aliaj, profesor Skënder Selimin sepse e kisha mentorin tim, profesor Gëzim Kacelin, Engjëll Tërshanën, që bëmë të munduar të risjellnin atë program.

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe Zina Zdrava (Facebook)

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe Zina Zdrava (Facebook)

Unë për herë të parë krijova dy grupe që nuk ekzistonin, një grup të kërcimit modern. Ajo që unë vetë e drejtoja ishte një ansambël popullor, që nuk ekzistonte në shkollën e baletit, Krijimin e këtij ansambli e atashova me Bashkinë e Tiranës, dhe krijuam të rinjtë e Bashkisë së Tiranës me të cilët kemi bërë aktivitete të mrekullueshme jashtë vendit, duke përfaqësuar Shqipërinë. Kemi qenë në Francë, Vjenë, Maltë, Turqi dhe shumë vende të tjera të Europës. Ishte një ansambël shumë dinjitoz, ku kërcimtarët ishin nxënës të shkollës së baletit dhe shumë profesionistë.

Gjithashtu kishim një orkestër shumë profesionale që drejtohej nga profesor Syri Roji, si dhe drejtuesin e grupit që ishte drejtori i kulturës në Bashkinë e Tiranës, Shaqir Rexhvelaj. Kishim dhe këngëtarë shumë të mirënjohur, si Ermelinda Paparisto, Ibrahim Tukiçin, Zina Zdravën dhe Shqipe Zanin. Në vitin 1998 u largova nga shkolla e baletit dhe u emërova drejtor i pallatit të kulturës studenit, dhe në vitin 2000 vendosa bashkë me familjen të emigroja në Kanada.

Grupi i Shqiponajve te vogla gjate nje aktiviteti (Facebook)

Grupi i Shqiponajve te vogla gjate nje aktiviteti (Facebook)

CMG: Në emigrim nuk u shkëputët nga profesioni, por vijuat kontributin tuaj me fëmijët e emigrantëve, duke ju mësuar vallet shqiptare, për të mbajtur gjallë folkun shqiptar në një vend të huaj.

Ramazan Këllezi: Mendoj se profesioni lind dhe vdes me njeriun. Unë që në klasë të pestë kam filluar të merrem me vallen  dhe pse ika nga Shqipëria nuk mund ta lija në mes këtë rrugë që kisha nisur dhe që e dua aq shumë.  Prej 13 vitesh në Kanada kam krijuar një grup vallesh që quhet “Shqiponjat e vogla”. Është kënaqësi e madhe, aq më tepër kur mendon që ke të bësh me fëmijë të lindur në Kanada, por që kanë aq shumë dëshirë të mësojnë vallen popullore dhe zakonet tona. Kështu që ata vijnë me një kënaqësi të madhe.

Unë kam një grup prindërish që janë të përkushtuar  dhe nuk më ndahen dhe për çdo gjë që kam nevojë ata janë të gatshëm. Prindërit janë shumë të përkushtuar që fëmijët e tyre të mesojnë vallen popullore. Janë ata promotorët që i bindin fëmijët të vijnë dhe nuk shkëputen më. Unë kam një grup të rinjsh dhe një grup vajzash të vogla që bëjnë prova çdo të dielë.

Valltaret e grupit Shqiponjat e vogla duke kercyer (Facebook)

Valltaret e grupit Shqiponjat e vogla duke kercyer (Facebook)

CMG: Keni marrë pjesë me grupin në koncerte apo festivale të ndryshme të folkut në vende të ndryshme të botës?

Ramazan Këllezi: Qëllimi im nuk është thjesht të mësojnë vallen popullore, por që fëmijët ta debutojnë këtë valle dhe për fëmijët e tjerë, dhe grupi pritet me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Unë për disa vite kam qenë kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto, e cila është një nga shoqatat më të vjetra atje. Këtë grup e atashova në shoqatë dhe në kohën që ne bënim përpjekje të mëdha për të kaluar ligjin në parlamentin e Ontarios, që muaji nënëtor të njihej me ligj nga shteti kanadez si muaji i kulturës shqiptare,  “Shqiponjat e vogla’ kanë bërë një punë shumë të madhe për të krijuar bindjen tek deputetët kanadezë që vërtetë ka një kulturë që egziston, ka kostume popullore dhe njerëz që kërcejnë. “Shqiponjat e vogla” kanë një peshë të madhe në realizimin e këtij projekti që u miratua me ligj dhe sot të gjitha aktivitetet që ne bëjmë në muajin nëntor mbajnë stemën e trashëgimisë shqiptare në Ontario.

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe valltaret (Facebook)

Ramazan Kellezi me Lili Cingu dhe valltaret (Facebook)

CMG: Një kontribut të vyer për grupin “Shqiponjat e vogla” në Kanada ka dhënë dhe Lili Cingu, duke ju mësuar vallet këtyre fëmijëve. Si ndikoi prezenca e Lilit tek ky grup valltarësh?

Ramazan Këllezi: Në një koncert në Miami unë pata fatin që të kërceja me Lilin, ku mu realizua një dëshirë e vjetër. Prezenca e Lilit ishte shumë e rëndësishme për mua. Unë vërtetë krijoja vallet me shumë dashuri dhe përkushtim, por prezenca e saj më jepte shumë krah, sepse ajo jepte nuancat e valles ashtu siç dinte vetëm ajo t’i bënte. Fëmijët në mënyrë instiktive nuancat e Lilit, i merrnin dhe i bënin të tyret. Kur hynte Lili në sallë ne të gjithë ndalonim provat dhe vajzat e përqafonin.

CMG: Për kontributin tuaj të çmuar në karrierën eartistike jeni vlerësuar në Shqipëri dhe Kanada. Sa ju kanë motivuar vlerësimet?

Ramazan Këllezi: Natyrisht unë kam punuar shumë dhe njeriu ka nevojë të promovohet, sidomos artistët janë shumë të ndjeshëm kur merr një vlerësim, aq më tepër kur e merr nga vendi yt ska gjë më të madhe. Ajo është një garanci ose një shtytje për ta vazhduar më tej këtë rrugëtim. Në pozitat e kryetarit të Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze në Toronto realizova samitin e parë të diasporës, ku më pas u zhvillua dhe samiti i dytë dhe qeveria dha disa vlerësime. Ndërmjet tyre isha dhe unë, ku më dhanë titullin “Ambasador i Kombit”, që realisht e vlerësoj sepse është vlerësimi më i mirë dhe i merituar i punës sime.

Ndërsa në vitin 2021 u vlerësova nga Presidenti i Republikës për merita të veçanta dhe civile, për kontributin e madh që jap në Kanada për ruajtjen e traditave tona kombëtare dhe transmetimin tek brezi i ri, por dhe për punën e madhe që kemi bërë si shoqatë për kalimin në parlamentin e Kanadasë të ligjit të njohjes së muajit nëntor si muaji i trashëgimisë shqiptare.

Ramazan kellezi duke kercyer me Lili Cingun (Facebook)

Ramazan kellezi duke kercyer me Lili Cingun (Facebook)

CMG: Cilat do të jenë aktivitetet në vazhdim me grupin “Shqiponjat e vogla”?

Ramazan Këllezi: Ne kemi shumë ftesa në aktivitete të ndryshme që zhvillohen në Kanada. Ka shumë shoqata që promovojnë vlera të shqiptarëve të suksesshëm në Kanada, dhe gjithmonë duan që ne të jemi prezent në aktivitetet e tyre sepse krijohet atmosferë shqiptare. Unë me këta fëmijë kam 13 vite që bëj aktivitete dhe kemi qenë në Otava për festat kombëtare. Kemi marrë pjesë disa herë në festivalet që zhvillohen në Nju Jork. Dy vite më parë unë i kam çuar këta fëmijë në një festival ncërkombëtar në Stamboll, ku ishte një arritje e madhe, sepse ballafaqimi me kulturat e grupeve të tjera i vinte përpara përgjegjësisë dhe mundoheshin që të bënin maksimumin në çdo valle. Jam i lumtur sepse në sajë të këtyre fëmijëve unë mund të ushtroj profesionin tim atje dhe ajo që është më e bukura është se unë për të gjithë këta fëmijë i bëj thjesht pa pagesë, sepse dua që ato të mësojnë vallen e bukur shqiptare dhe ta ruajnë atë se është një thesar.

Ramazan Kellezi ne interviste per CMG

Ramazan Kellezi ne interviste per CMG

CMG: Keni menduar ta sillni këtë grup valltarësh në Shqipëri për ndonjë koncert apo festival folku?

Ramazan Këllezi: Një plan është ndoshta në një nga festivalet e Gjirokastrës ose në ndonjë aktivitet tjetër do kisha shumë dëshirë. Më thonë  shpesh që t’i sjell njëherë në Shqipëri, sepse këtu kanë njerëzit e tyre dhe ndjehen krenarë që të kërcejnë para syve të tyre,

Intervistoi: Gazmend Agaj