Bienalja (Foto Atsh)
Rreth 40 artistë nga vende të ndryshme të botës do të marrin pjesë në edicionin e parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, që do të çelet më 5 tetor-24 nëntor, e cila pritet ta shndërrojë qytetin bregdetar shqiptar në skenën më të rëndësishme të artit pamor, shkruan “ATSH”.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se në bienale do të jenë 17 pavijone, ndërsa artistët pjesëmarrës do të paraqenin punime me temë: “Inteligjenca artificiale: e ardhmja hibride”.
Sipas ministrit Gonxhja, kjo është një qasje, e cila jo vetëm nxit imagjinatën e artistit krijues bashkëkohor, por evidenton edhe algoritmin e vetë ekzistencës së qenies njerëzore në teh midis racionales dhe irracionales, reales dhe surreales.
Pavijonet kombëtare të shteteve pjesëmarrëse do të ekspozohen në hapësirat e disa prej institucioneve më ikonike të qytetit të Durrësit, si dhe në disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore si: Amfiteatri Romak, Kulla Veneciane, Forumi Bizantin dhe Hamami Mesjetar. (Irma)