IEA: Furnizim i komplikuar global me gaz me afrimin e dimrit
2024-10-05 14:53:10

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) paralajmëron se rritja e konsumit global të gazit dhe tensionet gjeopolitike mund të komplikojnë furnizimet, me dimrin që afrohet, shkruan “ATSH”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Sipas raportit të fundit të agjencisë, kërkesa industriale po nxit një rritje të konsiderueshme të përdorimit të gazit.

Agjencia parashikon se kërkesa globale për gaz do të rritet me mbi 2.5% këtë vit, duke arritur një rekord prej 4200 miliardë metra kub, me një rritje të mëtejshme prej 2.3% deri në vitin 2025.

“Një nga pasiguritë kryesore me afrimin e dimrit në Europë është tranziti i gazit rus përmes Ukrainës. Kontratat aktuale skadojnë në fund të vitit 2024, gjë që potencialisht mund të ndërpresë të gjitha furnizimet e gazit rus në Europë përmes kësaj rruge”,- thuhet në një deklaratë të IEA-së, ku theksohet se Europa do të duhet të rrisë importet e saj të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në vitin e ardhshëm.

Kjo do të ushtrojë presion të mëtejshëm mbi furnizimet globale, pasi LNG-ja është thelbësor për ruajtjen e ekuilibrit midis ofertës dhe kërkesës. (Irma)