Franc Koruni i rritur në një familje artistësh kultivoi që i vogël dashurinë për artin. Në fëmijëri tregoi interes të veçantë për pikturën dhe skulpturën dhe në moshën 12 vjeçare nisi të merret me muzikë, në këtë kohë nisi të studiojë kitarën klasike. Natyra e tij e ndjeshme, vullneti dhe dëshira për të patur performancë sa më të mirë artistike, bëri që të tërheq vëmendjen e njerëzve dhe të fitojë simpatinë e publikut qeëne kohën kur studionte në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Në vitin 2015 përfundoi masterin për kitare klasike në “Universitetin e Arteve” dhe gjatë kësaj periudhe ka fituar disa çmime ndërkombëtare në kitarë klasike si dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete muzikore në Shqipëri, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Kroaci, Lihtenshtain, Francë dhe Zvicër. Interesi i tij për botën shpirtërore dhe filozofinë mistike duket në shumë prej teksteve të këngëve që Franci ka krijuar. Që prej vitit 2014 Franci ka qenë vazhdimisht pjesëmarrës si kantautor në festivale dhe kompeticione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai krahasohet shpesh me artiste si Celentano, Leonard Cohen apo Fabrizio De Andre. Ndonëse është ende shumë i ri evidentohet për stilin e tij të veçanteë. Franci rrëfen në Radio Ejani eksperiencen e tij në rrugën e artit, muzikës dhe projektet e reja.
Arti është një hapësirë intuitive ku mund të zbulosh gjëra tek vetja jote ndoshta në një mënyrë që nuk mund ta bësh aq thjeshtë nëpërmjet fushave të tjera.
Muzika është një gjuhë që e ka të mundur ta flasi apo ta kuptojë kushdo që ka vesh të vëmendshëm, ka një mënyrë të kuptuari që e kalon racionalen, e kalon të logjikshmen. Për mua ka qenë gjithnjë një mënyrë për të zbuluar gjërat tek vetja, e kam përdorur masivisht si terapi dhe më ka ndihmuar. Besoj se më ka ndihmuar shumë. Sot kur digjoj krijimet e mia të vjetra zbuloj gjëra të reja por varet pastaj dhe nga momentet kur ti gjendesh përballë muzikës sepse muzika ka shumë dimensione. Muzika mund të ndihmojë të rebelohesh, mund të ndihmojë të çuditesh, muzika mund të ndihmojë të qetësohesh, mund të ndihmojë të trishtohesh kur ke nevojë, mund të ndihmojë edhe te nxehesh ndonjëherë. Pra çfarë ke brenda mund ta nxjerrësh jashtë dhe ajo që të rrethon nga jashtë ti mund ta futësh brenda teje për të kuptuar, për të njohur atë që ti je në raport me botën që të rrethon.
Çfarë më frymëzon sot? Më frymëzojnë aspekte të reja të të kuptuarit, të shijuarit të perceptuarit të jetës. Kam një tendencë të lehtë për të eksperimentuar, dhe tek vetja, bindjet apo gjërat të cilat i konsideroja të rëndësishme dikur apo jo të rëndësishme dikur kam filluar ti rikonsideroj edhe ka surpriza kur e bën këtë gjë sepse ke mundësi të zbulosh gjëra të reja, gjëra që ti nuk e dije sesi ndikonin tek ty, dhe mund të përmend natyrën. Nuk i kam dhënë aq shumë rëndësi natyrës. Kur them natyrën e kam fjalën për natyrën e gjelbër, pemët, gurët, mjedisit pa ndërhyrjen e kapriçove apo pretendimeve njerëzore sesi duhet jetuar apo ku duhet jetuar. Së fundmi raporti me natyrën ka filluar të më bëhet e rendësishme sepse ndihem më i gjallë, nëse jam në një vend të gjelbër.
Kam qenë shumë klasik në fillim, detyrimisht sepse dhe kam studjuar muzikë klasike, më vonë fillova të isha më pop duke qenë se në krijimet e mia duhet të përdorja një gjuhë të kuptueshme për vetën time në rradhë të parë pastaj edhe për njerëzit, pastaj fillova të isha pak më rrok. Desha të shtyja nëpërmjet muzikës, desha të ngacmoja në mënyrë pak aagresive, në mënyrë provokuese, kurse tani jam ndoshta pak më autoironik në shijet artistike. Po flas gjithnjë në raportin me të krijuarit sepse shijet artistike janë jo lehtësisht të përcaktueshme kur ti je i hapur të dëgjosh apo të bësh shumëçka në muzikë. Po këtë mund të them që mund të jem bërë pak më autoironik në mënyrën sesi e shikoj muzikën sot.
Treg muzikor dhe vetvetja janë dy gjëra komplet në kontraditë me njëra tjetrën. Nuk ka diçka si vetja jote dhe tregu muzikor. Tregu muzikor është i përcaktuar, ti nuk je i përcaktuar. Ti je një qënie në zhvillim që po kërkon nga vetja në rastin më të mirë. Po flasim nëse një artist e përdor artin për të zbuluar jo për të fituar para. Nëse e bën për të fituar para duhet të zbatojë rregullat e tregut si çdo biznes tjetër dhe kjo ja ka komplikuar pak jetën muzikantëve sidomos dhe jo vetëm, të gjithë artistëve të të gjitha fushave dhe unë mendoj që për sa kohë do të ekzistojë ky presion që artistëve ti kërkohet të jetojnë me artin e diktuar nga ajo që ofron tregu nuk do të ketë asnjëherë art të vlefshëm nga ana njerëzore por do të ketë art të vlefshëm për tu argëtuar, për të mbushur stadiumet, për të mbushur radiot me muzikë, por ka edhe mundësi ku nëse ti tregohesh pak i zgjuar ja bën tregut me hile, domethënë ofron diçka tënden të veshur me rrobat që do stina që ofron tregu dhe ka njerëz që nuk kanë aq vapë po themi dhe mund të vishen me rroba relativisht të trasha në verë ose nuk kanë aq ftohtë dhe guxojnë të veshin një kanatjere të hollë në dimër por me ngjyra dimërore, domethënë ekziston mundësia që të bësh pak finokun në muzikë por ka risqet e veta sigurisht sepse rrezikon të mos fitosh para, jo se është e rëndësishme për artistin, por është e rëndësishme për profesionistin sepse janë dy gjëra të ndryshme. Kur ti ke një profesion je i detyruar të ndjekësh disa rregulla.
Çfarë do të bëja ndryshe në të gjithë punët që kam bërë deri tani? Nuk mendoj që do të bëja diçka ndryshe sepse çdo gjë që kam bërë i ka shërbyer asaj që kuptoj sot dhe i ka shërbyer qasjes që kam sot kundrejt muzikës. Domethënë mendoj që gjithçka është e vlefshme. Gjithçka që ne bëjmë është e vlefshme për ne. E rëndësishme është të jemi të hapur të mësojmë nga ato që bëjmë. Ajo që mund të bëja ndryshe sot do ishte të isha më i shpenguar nga çfarë pritet nga unë, sepse vjen një moment kur ti ofron një panoramë të caktuar artistike që njerëzit presin vazhdimisht të njëjtën gjë ose presin variantin e përmirësuar të të njëjtës gjë dhe kjo mund të kthehet në presion dhe herë pas here unë e kam këtë presion sepse kushdo e ka besoj, sepse jemi të ndërlidhur me marrëdhënien që krijojmë me publikun padiskutim dhe ndryshe do të ishte pikërisht të kisha një moskokëçarje ë kuptimin e mirë të fjalës. Për atë që unë mund të dua të krijoj jo të mund të dua tu ofroj njerëzve sepse nuk mendoj që unë u ofroj diçka njerëzve. Unë kur bëhet fjalë për krijimtarinë time personale i ofroj diçka vetes time dhe kur e bëj publike vetëm në një farë mënyre përpiqem të gjej miq që e mendojnë njësoj si unë apo gjejnë veten tek ajo që unë mund të them kryesisht nëpërmjet teksteve apo mënyrës së interpretimit.
Ajo që unë do të doja të kujtonin njerëzit kur të dëgjonin këngët e mia ndoshta këngën “O nënë ekzistencë”, mund të ishte një përgjigje e përmbledhur. Kjo ishte gjëja që mund të doja që ata që kanë ndjekur muzikën time të mbanin mend vazhdimisht nga unë, sepse është një këngë që tregon thelbësisht atë që unë aspiroj të përjetoj si artist, pra të shkëputem nga klishetë mendore, sociale dhe këtë besoj e bën çdo njeri që kërkon të njoh veten nëpërmjet artit. Kjo do të ishte përgjigja ime shkurt, me këtë rast edhe njerëzit bëhen kuriozë dhe shkojnë ta dëgjojnë për çfarë bëhet fjalë dhe klikon këngën.
Në këtë botë klikimesh patjetër që klikimet, komentet, dukshmëria e artistëve është kthyer pak në temë sepse sado që ti të jesh i vetëkonfirmuar je një qënie sociale që ndërvepron me të tjerët dhe vëmendja e të tjerëve është një lloj ushqimi për këdo, jo më për dikë që ofron një produkt dhe e nxjerr publikisht atë. Por mendoj që muzikantët e vërtetë, ata që e përdorin artin jo për arsye tregtare as që i intereson nëse kanë apo jo klikime, apo komente apo shikueshmëri. Rreziku është tek brezat e rinj sepse rrezikojnë të rriten me frymën e të bërit art për hir të shikueshmërisë që mund të arrijnë nëpërmjet rrjeteve sociale apo shumëçkaje të kësaj natyre. Ky është rreziku më i madh kurse ata që kultivohen vetëm artistikisht, pa u bazuar tek ajo që ndodh në nivel komercial, ata e kanë të mundur të shpëtojnë nga kjo grackë. Unë do ta quaja grackë e bukur, tërheqëse. Po si në çdo fushë të jetës që ka gracka vetëm se kur bëhet fjalë për art, arti vetë në vetvetë është një grackë shumë e rafinuar në të cilën ti mund të humbasësh edhe mund të gënjesh veten tënde se çfarë po bën apo po zbulon. Imagjino një grackë brenda grackësh, domethënë koklavitet shumë kështu që ajo që mund të them unë është që rregullat e asaj që është e rëndësishme në muzikë e vendosin muzikantët dhe jo masat. Masat marrin atë që i ofrohet. Nëse je muzikant dhe ke personalitet, ke identitet artistik e di ti se çfarë duhet të dëgjojë publiku, nuk e di publiku. Publiku di të gjejë veten ose jo në atë që ti bën. Dhe kjo është punë për publikun. Më ka bërë një herë një njeri shumë i mençur më ka bërë një pyetje: do të doje të merrje pjesë në një koncert me pesë mijë veta apo në një koncert me një njeri? Sigurisht me pesë mijë veta ju përgjigja. Po në rregull. Po nëse ai njeri është Moxart? Domethënë cilësia është thelbësore për rritjen e një artisti. Sasia është argëtuese, është komode, po jo detyrimisht reale sidomos sot. Nuk është reale.
Ka dy anë: të bësh muzikë për vete dhe të bësh muzikë për të tjerët, janë dy gjëndje komplet të ndryshme. Së fundmi preferoj të bëj muzikë për të tjerë vetëm sepse ka filluar të jetë argëtuese për mua, shpenguese dhe ndonjëherë dhe më interesante edhe nga ana artistike sepse liroem nga përgjegjësia e asaj që duhet të identifikohem unë me atë gjë që kam krijuar. Në momentin që bëj diçka vetëm për hir të të bukurës që ajo mund të ofrojë, kënga ose teksti, herë pas here dalin gjëra që edhe unë nuk i pres dhe dalin goxha të këndshme, goxha interesante dhe në këtë pikë është bukur të krijosh për të tjerë por është më e vështirë të krijosh për veten tënde sepse ka përgjegjësi në çdo rast ti duhet të jesh i përgjegjshëm artistikisht por kur krijon për veten tënde je duke ballafaquar veten tënde nëpërmjet muzikës kështu që ballafaqimet janë gjithmonë të vështira. Takimet mund të jenë simpatike. Mund ti japësh dorën dikujt dhe të shkëmbesh muhabet apo një javë apo gjithë jetën vendosh të bësh muhabet me një mik në çdo rast ai është andej ti këtej. Kur ballafaqohesh me veten tënde ato pak sekonda janë më reale se kurrë kështu që rrjedhimisht më të rrezikshme dhe më të vështira.
Përgatiti Jerida Sakaj