Ministri Vengu takon ambasadorët e Spanjës dhe Gjermanisë për mundësi bashkëpunimi në rinovimin e industrisë ushtarake
2024-10-05 14:06:06

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, priti në takime të ndara ambasadorët e Spanjës dhe Gjermanisë në Tiranë, me të cilët bisedoi për projektet që ka Shqipëria në fushën e mbrojtjes dhe situatën e sigurisë në rajon e më gjerë, shkruan “ATSH”.

Ministri Vengu (Foto Atsh)

Ministri Vengu (Foto Atsh)

Në bisedën me ambasadorin spanjoll, Alvaro Renedo Zalba, ministri Vengu ftoi kompanitë spanjolle të industrisë së mbrojtjes për të eksploruar mundësitë e bashkëpunimit, me qëllim rinovimin e sektorit ushtarak.

Në lidhje me dinamikën e situatës së sigurisë në rajon, si dhe rrugën euroatlantike për vendet e Ballkanit Perëndimor, ministri Vengu theksoi se Shqipëria vlerëson rolin dhe mirëpret qasjen konstruktive të Spanjës për zgjidhje praktike dhe të qëndrueshme.

Ndërsa në takimin me ambasadorin e Gjermanisë, Karl Bergner, ministri Vengu diskutoi për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe investimet në industrinë ushtarake, në kuadër të rigjallërimit të kësaj industrie. Gjatë këtij takimi u theksua rëndësia e infrastrukturës, sidomos lidhur me Korridorin VIII dhe portin e Porto Palermos.

Nga ana e tyre, ambasadorët e vlerësuan si tejet të rëndësishëm kontributin politik dhe ushtarak të Shqipërisë në angazhimet e NATO-s dhe BE-së. (Irma)