Zyrtari libanez: Sulmi izraelit bllokoi rrugën e përdorur nga civilët për tu larguar
2024-10-05 14:17:42

Foto VCG

Sulmi izraelit të premten pranë pikës kufitare Masnaa të Libanit me Sirinë bllokoi një rrugë të përdorur nga qindra mijëra njerëz për të ikur nga bombardimet izraelite, sipas Ministrit të Transportit të Libanit, Ali Hamieh.

Hamieh tha se sulmi goditi brendësinë e territorit libanez pranë pikës kufitare, duke krijuar një krater katër metra të gjerë.

Sipas statistikave të qeverisë libaneze, më shumë se 300 mijë njerëz - pjesa më e madhe sirianë - kishin kaluar nga Libani në Siri dhjetë ditët e fundit, për t'i shpëtuar bombardimeve të përshkallëzuara izraelite.

Ushtria izraelite kërkoi të premten evakuimin e menjëhershëm të banorëve në mbi 20 qytete të tjera jugore në Liban, tha zëdhënësi Avichay Adraee në platformën X, ndërkohë që Izraeli po vazhdon me sulmet e tij në rajon.

Përshkallëzimi i luftimeve midis Hezbollahut dhe Izraelit, ka ngjallur frikën se Shtetet e Bashkuara dhe Irani do të përfshihet në konfliktin e Lindjes së Mesme, duke u ndezur në disa fronte.

Kombet në mbarë botën kanë përgatitur plane emergjente për të evakuuar qytetarët nga Libani, pas një përshkallëzimi dramatik të konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut. (Elona)