OKB: Mijëra humbje jete dhe të zhvendosur nga përmbytjet në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore
2024-10-05 11:02:28

Permbytjet ne Afrike (Foto Rtsh)

Më shumë se 1000 persona kanë humbur jetën dhe të paktën 740.000 janë zhvendosur pasi përmbytjet kanë përfshirë Afrikën Perëndimore dhe Qendrore, duke prekur mbi 5 milionë njerëz në 16 vende, bëri të ditur Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), shkruan “RTSH”.

Shumica e pjesëve të rajonit të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, si dhe Sahelit, kanë përjetuar përmbytje të rënda për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Çadi, Nigeri dhe Nigeria janë goditur më rëndë, duke përbërë mbi 80 për qind të popullsisë totale të prekur, sipas Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Qindra mijëra shtëpi, shkolla dhe objekte të kujdesit shëndetësor janë dëmtuar, me rreth gjysmë milioni hektarë tokë bujqësore të shkatërruar, duke kërcënuar sigurinë ushqimore dhe duke rritur kequshqyerjen, veçanërisht në Çad dhe Niger.

Kushtet e pasigurta të jetesës po rrisin gjithashtu rrezikun e sëmundjeve të shkaktuara nga uji, si kolera, duke u përhapur në Niger dhe Nigeri, paralajmëroi OKB-ja.

Joyce Msuya, ndihmëssekretare e përgjithshme për Çështjet Humanitare dhe zëvendëskoordinatore e Ndihmës Emergjente, ka ndarë 35 milionë dollarë për të mbështetur masat reaguese në Çad, Niger, Nigeri, Republikën Demokratike të Kongos dhe Kongo. Megjithatë, sipas OKB-së, nevojiten urgjentisht fonde shtesë.

Vetëm në Nigeri, Msuya ndau 5 milionë dollarë për të ndihmuar 280.000 persona me ushqim, ujë të pastër dhe strehim, si dhe përpjekje për të parandaluar shpërthimet e kolerës.

Plani i Reagimit Humanitar prej 927 milionë dollarësh për Nigerinë është vetëm 46 për qind i financuar, vunë në dukje zyrtarët. (Irma)