Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se eksportet bujqësore shqiptare janë rritur gati me 13% çdo vit.
Produktet shqiptare (Foto Atsh)
Sipas saj, vetëm për në 7 muajt e parë të këtij viti, eksportet bujqësore janë rritur me 16.7% dhe produktet shqiptare në tregjet e BE-së janë edhe më të larta me 22%, shkruan “ATSH”.
“Këto janë shifra që na motivojnë të rrisim prodhimin e frutave dhe të perimeve në sipërfaqe për hektar më shumë dhe kjo është një nga pikat e para të mbështetjes së Skemës së Investimeve që financon grant për rritjen e sipërfaqeve të prodhimit në serra”,- u shpreh ministrja.
Denaj tha se fokus i politikave mbështetëse vijon të jetë edhe nxitja e incentivave për bashkëpunim bujqësor të fermerëve, duke i subvencionuar ata për krijimin e Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor.
Kemi 321 bashkësi të operatorëve bujqësorë, shtoi ministrja, duke theksuar se skema e investimeve në bujqësi aplikon standardet më të mira të zbatimit. (Irma)