Balluku (Foto Atsh)
Zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi hap të rëndësishëm drejt integrimit europian miratimin në mbledhjen e Komitetit Shtetëror për Integrimin Europian të pozicionit negociues për grupkapitullin e themeloreve në negociata, shkruan “ATSH”.
Balluku theksoi se pas një procesi maratonë përgjatë 14 muajve, shtator 2022-nëntor 2023, Shqipëria finalizoi procesin e vlerësimit të nivelit aktual të përgatitjes “Screening”, për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke përfshirë një pjesëmarrje të gjerë të të gjitha institucioneve dhe punonjësve publik.
Pasi u shqyrtuan edhe rekomandimet e raportit të Komisionit të Çështjeve Europiane të Kuvendit të Shqipërisë, Komiteti miratoi pozicionin negociues për grupkapitullin I të kapitujve “Themeloret”.
“Miratimi i këtij dokumenti përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”,- theksoi Balluku. (Irma)