
Kryeministri izraelit (Foto Rtsh)
Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Herzi Halevi, ka dërguar një mesazh të ashpër në lidhje me një sulm të mundshëm hakmarrës ndaj Iranit, duke paralajmëruar se Izraeli ka mjetet për të goditur çdo objektiv në Lindjen e Mesme.
Ndërsa vizitoi bazën ajrore Tel Nof, Halevi tha se Izraeli e di se si të lokalizojë objektiva të rëndësishëm dhe do t'i përgjigjet sulmit të Iranit me sulme precize dhe të forta, shkruan “RTSH”.
“Ne kemi aftësitë për të arritur dhe goditur çdo pikë në Lindjen e Mesme. Dhe armiqtë tanë që nuk e kanë kuptuar ende këtë, do ta kuptojnë së shpejti”,- tha Halevi, i cili theksoi se ushtria izraelite po operon e godet në të gjitha frontet.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, dha një paralajmërim të ngjashëm menjëherë pas sulmeve raketore të së martës nga Irani, duke premtuar se vendi do të paguajë për veprimet e tij.
Netanyahu akuzoi Iranin se nuk e kuptonte vendosmërinë e Izraelit për t'u hakmarrë kundër armiqve të tij dhe premtoi se do të kundërpërgjigjet. (Irma)
