Konferenca e Ballkanit Perendimor (Foto Rtsh)
Ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor zhvilluan një konferencë në Berlin, ku miratuan hapat e mëtejshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, një nismë që shënon 10-vjetorin e tij këtë vit, shkruan “RTSH”.
Konferenca, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, i paraprin një samiti të liderëve rajonalë, i cili do të mbahet më 14 tetor 2024.
Ministria e Jashtme gjermane bëri të ditur se qëllimi i konferencës ishte shfrytëzimi i momentit pozitiv, pasi ka shumë për të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit. Në njoftim e kryediplomacisë gjermane u bë e ditur se marrëveshjet e mëtejshme të lëvizshmërisë janë duke u punuar dhe Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) ende nuk është zbatuar.
Sipas njoftimit për shtyp të ministrisë gjermane, marrëveshja për qasje në arsimin e lartë dhe pranim në studime të larta do të përmbyllet në Samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor. Kjo marrëveshje synon t'u japë studentëve të drejtën për të ndjekur studimet në institucione të arsimit të lartë të akredituar dhe promovon lëvizshmërinë e studentëve.
Pjesëmarrësit miratuan një deklaratë mbi Standardet Rajonale të Ekzaminimit të Investimeve të Huaja Direkte për Ballkanin Perëndimor si dhe Deklaratën për Aksesin dhe Bashkëpunimin në Infrastrukturën e Kërkimit dhe Inovacionit.
“Më në fund, pjesëmarrësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënvizojnë përkushtimin e tyre për bashkëpunimin rajonal në një Deklaratë të Përbashkët për Rikonfirmimin e Marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit Rajonal me rastin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, me synimin për miratimin e tij në Samit”,- thuhet në njoftimin për shtyp.
Procesi i Berlinit filloi në vitin 2014 për të thelluar integrimin rajonal dhe për të ndihmuar vendet të përgatiten për anëtarësimin e tyre në BE. Ndër arritjet e tij janë marrëveshjet për njohjen e kualifikimeve profesionale midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, heqja graduale e tarifave të roaming në rajon dhe ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO).
Përveç ministrave të Jashtëm nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, në konferencë morën pjesë edhe kryediplomatët e Greqisë, Kroacisë, Austrisë, Sllovenisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Hungarisë, si shteti që mban presidencën e radhës së BE-së.
Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Italisë, Polonisë, Francës dhe Komisionit Europian. (Irma)