Mbahet në Tiranë Forumi rajonal për Luftën kundër Korrupsionit
2024-10-04 11:02:53

 Kryeparlamentarja Spiropali (Foto Rtsh)

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, deklaroi në Forumin rajonal për Luftën kundër Korrupsionit, i zhvilluar në Tiranë, se ndëshkimi i të korruptuarve është shërbimi që publiku pret dhe meriton të marrë.

Sipas saj, as imuniteti apo amnistia nuk do të mund të shpëtojnë askënd nga përballja me drejtësinë, shkruan “RTSH”.

“Sot askush në sallonin e zhurmshëm të politikës nuk ka imunitet, nuk ka amnisti, bunker ta shpëtojë nga e shkuara dhe shkuara me hir a pahir në përballjen me drejtësinë. Ka tashmë një perceptim të publikut për thellësinë dhe shtrirjen e metastazave të korrupsionit në shoqëri. Ka dhe konsensus të gjerë të shoqërisë që e sheh luftën kundër korrupsionit si sfidën më të madhe që përballet e sotmja jonë e përbashkët”,- deklaroi kryeparlamentarja shqiptare, duke falënderuar organet e reja të drejtësisë, të cilat, sipas saj, jo gjithmonë mund të ecin me ritmin e duhur, por gjithsesi janë në kahun e duhur.

“Ndëshkimi në vetvete nuk është synimi i parë dhe i fundit, por besoj se ndëshkimi i të korruptuarve është një shërbim që publiku meriton të marrë. Kuvendi ka krijuar komisionin e posaçëm për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 20230 në BE”,- u shpreh Spiropali.

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, deklaroi në fjalën e tij në forum se në luftën kundër krimit dhe korrupsionit janë jetike investimet në teknologji dhe pavarësia e institucionit nga pushtetet e tjera.

Dumani tha se prokurorët duhet të jenë të qetë dhe mos të ndikohen nga pushteti dhe krimi, në mënyrë që rezultatet e luftës kundër korrupsionit të jenë të prekshme dhe të dukshme nga të gjithë.

Duke vlerësuar punë e bërë deri më tani nga SPAK, Dumani u shpreh se duhen rritur edhe më shumë investimet në teknologji dhe mjete që të luftosh krimin dhe korrupsion që vjen duke u sofistikuar me shpejtësi.

Një pjesë e rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, sipas Dumanit është edhe bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

Ai theksoi se SPAK-u bën pjesë në 35 skuadra të përbashkëta në BE, Ballkan dhe më gjerë duke shkëmbyer informacion në kohë reale për luftën ndaj krimit të organizuar. (Irma)