Banka e Shqipërisë lë të pandryshuar normën bazë të interesit
2024-10-04 15:40:14

Guvernatori Sejko (Foto Rtsh)

Guvernatori Sejko (Foto Rtsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti sërish të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun, në nivelin e 3%.

Sipas tij, ky vendim u mor duke pasur parasysh qëndrimin aktual të politikës monetare që është i përshtatshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe mbajtjen e inflacionit në kontroll në terma të qëndrueshëm, shkruan “RTSH”.

Guvernatori theksoi se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi.

Ai njoftoi se në janar pritet të hyjë në fuqi edhe rregullorja e re për institucionet financiare jobanka. 

“Do të kufizojmë moshën e kredimarrëve. Sa i takon numrit të kredive, nuk mund të merren 2 kredi konsumatorë njëherësh. Po ashtu, do të bëhet analizë financiare e kredimarrësve, për të mbrojtur institucionet ndaj kredive me probleme. Këto institucione nëse do të përballen me një kredimarrës problematik, do të kenë normë të lartë kredie me probleme dhe do të përballen me humbje”,- tha Sejko.

Sipas analizës së guvernatorit të BSH-së, kredia për sektorin privat ka shënuar një përshpejtim të mëtejshëm gjatë muajve korrik-gusht. Ritmi i rritjes kulmoi në nivelin 16.8% në muajin gusht, duke qëndruar në nivelet më të larta të më shumë se një dekade. Kjo kredi ka vijuar të mbulojë nevojat e biznesit dhe të familjeve shqiptare për zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të tyre, duke dhënë një kontribut në rritje në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. (Irma)