Ministri Vengu: Mbështesim investimet përmirësuese të infrastrukturës dixhitale
2024-10-04 11:18:22

 Ministri Vengu (Foto Atsh)

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në Konferencën e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA), ku u diskutua mbi vlerën e shtuar të ekonomisë dixhitale dhe sfidat që mbart procesi i zhvillimeve teknologjike në rrafshin e sigurisë dhe mbrojtjes, shkruan “ATSH”.

Ministri Vengu theksoi se përballja me kërcënimet kibernetike ka krijuar një konsensus kombëtar mes sektorit publik dhe atij privat për të fuqizuar kapacitetet kombëtare.

Sipas tij, pritshmëria e qytetarëve është për më shumë inovacion dhe më shumë siguri në ofrimin e shërbimeve dixhitale.

Ministri Vengu shtoi se në linjë me politikat e Bashkimit Europian në këtë fushë, qeveria shqiptare do të mbështesë investimet përmirësuese të infrastrukturës dixhitale dhe do të vijojë të ofrojë një kuadër rregullator nxitës për investimet e huaja në industrinë ushtarake. (Irma)