Presidenti amerikan nuk do të mbështesë sulmet izraelite në objektet bërthamore të Iranit
2024-10-04 11:24:19

 Biden (Foto Rtsh)

Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi se nuk do të mbështeste asnjë sulm izraelit në objektet dhe qendrat bërthamore të Iranit, në përgjigje të sulmit të Teheranit zyrtar, dhe i bëri thirrje Izraelit të reagojë në mënyrë proporcionale, shkruan “RTSH”.

Deklarata e presidentit Biden erdhi pasi Irani sulmoi me 180 raketa balistike Izraelin dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se Irani do të paguajë për sulmin.

“Ne do të diskutojmë me izraelitët se çfarë do të bëjnë, por vendet e G7-s bien dakord se Izraeli ka të drejtë të përgjigjet, por duhet të jetë në mënyrë proporcionale”,- deklaroi presidenti Biden për mediet.

I pyetur nëse ai do të mbështeste Izraelin për të goditur objektet bërthamore iraniane, siç ka kërcënuar prej kohësh, presidenti Biden tha: “Përgjigjja është jo”.

Ai theksoi se duhet të vendosen sanksione të tjera ndaj Iranit. (Irma)