< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi dhe zhvillim rural
2024-10-04 11:39:38

播放地址不存在

Pedagogu Leons Hasani në intervistë për CMG

Qeveria shqiptare ka mundësuar një fond prej  15 milionë eurosh, në formën e një granti me 50 përqind të vlerës, për investimet kryesore në bujqësi. Për këtë qëllim më 1 tetor 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi. Synimi i nismës është zhvillimi i ekonomisë bujqësore dhe modernizimi i saj. Për këtë flet në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Leons Hasani, pedagog në Universitetin Bujqësor, ekspert i bujqësisë dhe zhvillimit rural.

Më 1 tetor 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural hapi aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një nismë e qeverisë shqiptare, e cila synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit.

Qeveria ka mundësuar një fond prej 1.5 miliarde lekë ose 15 milione euro, në formën e një granti me 50 përqind të vlerës, për investimet kryesore në bujqësi, në veçanti, në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve.

Buxheti për zhvillimin rural 2024 (Foto Ministria e Bujqësisë)

Në Skemë mund të aplikojnë të gjithë fermerët, të cilët kanë një NIPT, shoqëritë tregtare të angazhuara në sektor dhe shoqëritë e bashkimit bujqësor.

Konkretisht, për ndërtimin e serrave diellore të reja me sipërfaqe jo më pak se 0.2 ha dhe jo më shumë se 2 ha për subjekt, përfshirë edhe instalimin e sistemit të ujitjes, masa e përfitimit nga Buxheti i Shtetit do të jetë në 50 perqind të vlerës totale të faturave tatimore te investimit, por jo më shumë se 15 milionë lekë/ha ose 150 mijë euro/ha.

Ndërsa për serrat e prodhimit të perimeve, masa e grantit do të jetë jo më shumë 8 milionë lekë/ha ose 80 mijë euro/ha, për serrat e prodhimit të rrushit për tavolinë, si dhe jo më shumë se 4 katër milionë lekë/ha ose 40 mijë euro/ha, për serrat e prodhimit të luleshtrydheve.

Për investimin në rrjeta për mbrojtjen e prodhimit nga breshëri në blloqet ekzistuese me pemë frutore, agrume dhe vreshta, përfitimi do të jetë në 50 perqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 1.5 milionë lekë/ha, ose 150 mijë euro/ha. Financimi do të bëhet për sipërfaqe jo më pak se 1 hektar dhe jo më shumë se 5 hektarë.

Skema Kombëtare e Investimeve 2024 në bujqësi i mbështet fermerët edhe për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve dhe stabilimenteve për rritjen e shpendëve, me kapacitet jo më pak se 10 lopë, jo më pak se 100 të imta, jo më pak se 10 dosa dhe jo më pak se 10 mijë shpendë. Masa e përfitimit do të jetë në 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 15 milionë lekë për subjekt, ose 150 mijë euro për subjekt.

Skema kombëtare (Foto AZHBR)

Për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat bujqësore dhe blegtorale, masa e grantit do të jetë në 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5 milionë lekë për subjekt, ose 50 mijë euro për subjekt.

Mbështetja për akuakulturën detare për koshat e rritjes së peshkut do të jetë në masën 50 përqind të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 20 milionë lekë për subjekt, ose 200 mijë euro për subjekt.

Skema Kombëtare e Investimeve do të jetë e hapur përgjatë 5 javëve nga 1 tetori e deri në 8 nëntor 2024, për të gjithë përfituesit nga i gjithë vendi. Pikat e informacionit agro, të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, po japin shpjegimet e duhura për të gjitha pyetjet e fermerëve, të cilët e kanë pritur këtë Skemë Kombëtare, të diskutuar gjerësisht me drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përgjatë gjithë vitit.

Është një Skemë Kombëtare, që krijon sinergji dhe vijon punën e Skemës së Subvencioneve të Drejtëpërdrejta në bujqësi të fillimit të vitit, në mars 2024. Ajo plotëson kështu një cikël të mbështjetjes financiare, që qeveria ka dhënë dhe jep për një sektor shumë të rëndësishëm, si bujqësia, e cila në eksport është e pranishme me produktet shqiptare në 80 shtete të ndryshme në Evropë dhe në botë. Për këtë flet në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës Leons Hasani, pedagog në Universitetin Bujqësor, ekspert i bujqësisë dhe zhvillimit rural

Skema Kombëtare e Investimeve në Bujqësi (Foto Instagram)

CMG: Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi ka si qëllim nxitjen e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit bujqësor, përmes mbështetjes financiare. Ju duket hapi i duhur qeveritar në momentin e duhur?

Leons Hasani: Ashtu siç ju e theksuat, që më 1 tetor 2024 është lançuar Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi, nga ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj.

Ky është hap pozitiv, i ndërrmarrë nga qeveritë shqiptare. Të mos i hedhim poshtë qeverite e mëparshme, që i kanë mbështetur fermerët me subvencione. Ato kanë patur prioritete të tjera.

Kjo qeveri ka disa prioritete të tjera. Sigurisht, kjo lidhet me kërkesat e tregut dhe ekonominë e vendit. Këto masa mbështetëse pritet të injektojnë në ekonominë shqiptare rreth 1.5 miliardë lekë, të përkthyera në euro, mbi 15 milionë euro.

Këto fonde do të investohen nga masa 9 në masën 13, që janë specifika të caktuara të sektorëve apo nënsektorëve të ekonomisë bujqësore, që ne do t’i trajtojmë më poshtë.

CMG: Skema i hapi aplikimet më 1 tetor 2024. Do të ketë masivitet ajo? Janë kriteret e aplikimit ato të duhurat?

Leons Hasani: Skemat e mbështetjes, po t’i shohim me kujdes, janë shumë atraktive për bujqësinë.

P.sh., mbështetja e fermerëve për të ndërtuar një kapacitet të ri, për të akomoduar apo mbarështruar gjënë e gjallë, që mund të jenë të imtat apo gjedhët, në këtë rast mbështetja është 50 përqind e vlerës së investimit, po ashtu me 50 përqind mbështetje financiare për blerjen e një makinerie bujqesore, janë veprime konkrete.

Po ashtu, ka mbështetje për investimet në serra, për ruajtjen e të mbjellave në bujqësi, kryesisht perimeve, për t’i mbrojtur me sera nga breshëri, apo tjetër masë që lidhet me mbështetje për akuakulturën, që është një risi për peshkatarët që duan të zgjerojnë këtë sektor dhe për të rritur eksportin jashtë vendit, për të patur bilanc pozitiv në këtë minisektor të bujqësisë.

Gjykoj se kriteret janë ato të duhurat dhe nënsektorët e bujqësisë janë përgjedhur me kujdes.

CMG: Në Skemë mbështeten fermerët që ndërtojne serra diellore të reja dhe ata që kanë serra të prodhimit të perimeve, rrushit të tavolinës dhe luleshtrydheve. A është fokusi i duhur, sipas jush?

Leons Hasani: Këto janë sektorë primarë të ekonomisë shqiptare, prandaj duhen mbështetur.

Në qoftë se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rura nxjerr një strategji për të mbështetur disa sektorë të caktuar apo nënsektorë, patjetër që ka bërë një analizë të mirëfilltë se çfarë kërkon tregu, por edhe analizë kosto-përfitim, edhe të numrit të fermave që realizojnë këtë lloj aktiviteti.

Kjo nuk do të thotë që do të lëmë mangut  apo pa mbështetur fermat që janë unike,  apo risi për vendin tonë, por që duhet të marrim peshën bruto të çdo nënsektori në sektorin total të bujqësisë.

Është pozitive si mbështetje, por ka kritika, pasi duhet rritur masa e mbështetjes dhe duhen lehtësuar politikat, se si duhen të aksesohen fondet për fermerin apo qytetarin e thjeshtë.

Ka qëlluar disa herë që politikat të jenë konfuze dhe Ministria apo agjensitë e ndryshme në bujqësi nuk i këshillojnë siç duhet fermërët në dhënien e informacionit, në mënyrë që ata të mund të realizojnë një aplikim të sukseshëm dhe pastaj komisioni i vlerësimit të përzgjedhë mes gjithë këtyre aplikimeve të suksesshme, ato më të mirat.

CMG: A krijon sinergji Skema Kombëtare e Investimeve në bujqësi me Skemën e Subvencioneve të Drejtperdrejta, të nisur në mars të këtij viti nga qeveria?

Leons Hasani: Ato janë komplementare me njëra-tjetrën. Nëse skema e parë, e cila që u lançua në fillim të  vitit, lidhej me subvencionet dhe mbështjetjen direkte  për prodhim,  kjo është hallka e dytë, e cila i mbështet fermerët në aspektin e investimit.

Mos të harrojmë këtu që kemi mungesë të fondeve nga Bashkimi Evropian, që janë fondet IPARD, programi IPARD II, si dhe ende nuk ka filluar Programi IPARD III.

Kemi edhe mungesën e kreditimit nga bankat tregtare. Kreditë tregtare për fermerët  janë në nivele shumë të ulta në sektorin e bujqësisë, sepse bankat e shikojnë këtë sektor me risk të lartë, për të mos patur sukses, apo për të falimentuar. Skema Kombëtare e Investimeve është ndërhyrja në kohën e duhur, që të mund të kemi dyfishim të prodhimit në disa nën-sektorë në bujqësi.

CMG: A i ndihmon Skema Kombetare e Investimeve eksportet tona bujqësore?

Leons Hasani: Patjetër që kjo i ndihmon, i nxit eksportet bujqësore. Ne e dimë që çdo lek i investuar rrit produktivitetin. Dhe ky produktivitet shpërndahet në të gjitha qelizat e ekonomisë, që mund të jenë qeliza të brendshme apo të jashtme të saj.

Kështu që patjetër që Skema Kombëtare i afekton eksportet bujqësore, por se sa i afekton dhe se sa do të rriten këto eksporte, le të presim mbyljen e këtij viti apo edhe 6 mujorin e parë të vitit tjetër, për të parë rezultatin.

Kjo, ngaqë në bujqësi nuk matet rezultati me mbylljen e vitit kalendarik. Bujqësia  ka cikle të tjera të prodhimit.

Skema Kombëtare patjetër që ndikon, sidomos në prodhimin e serave, ku shtohet prodhimi, shtohet  produktiviteti dhe rritet numri i produkteve për konsum të brendshëm dhe për eksport, për t’u futur në tregjet shqiptare, apo edhe në tregjet e Bashkimit Evropian.

Kemi një problem për produktet dhe nënproduktet e qumështit, ngaqë  ne nuk eksportojmë dot, për shkak të marrëveshjeve dhe standardeve që kanë përcaktuar vendet e BE-së.

Me përmbushjen e këtyre standardeve, ne mund të futemi në tregjet e Bashkimit Evropian me këto produkte.

CMG: Ky injektim i ri fondesh në bujqësi, përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, sa e garanton arritjen e objektivit qeveritar të 1 miliardë eurove eksporte bujqësore për vitin 2023?

Leons Hasani: Çdokush nga ne do të dëshironte, si ekonomistë, si dashamirës të bujqësisë apo të angazhuar në botën akademike, që rritja e sektorit të bujqësisë të ishte e qëndrueshme në kohë, ngaqë do të thotë më shumë të  mira materiale jo vetëm për fermerët, por për të gjithë sektorët e tjerë që janë të lidhur zinxhir me të.

Mirëpo, për të arritur në këtë shtim të qëndrueshëm të prodhimit bujqësor, do të na  duhet të kemi një injektim financiar më të madh, sesa nga totali 37-38 milionë euro fonde të Buxhetit të Shtetit në vit, në mbështetje direkte të fermerëve.

Nëse duhet që ne të arrijmë në shifrën e 1 miliardë euro eksporte bujqësore, minimuni është që  duhet t’i mbështesim fermerët për vit me 100 milionë euro për pagesat direkte, qoftë për investime apo subvencione. Objektivi është i arritshëm, nëse bëjmë ndërhyrjet e duhura me instrumenta financiarë.

Intervistoi Fatos Çoçoli

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree