Kuvendi i Shqipërisë miraton marrëveshjen me Gjermaninë për projektin për klimën
2024-10-04 14:00:22

Kuvendi i Shqiperise (Foto Atsh)

Kuvendi i Shqiperise (Foto Atsh)

Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 71 vota pro marrëveshjen me Gjermaninë për projektin “Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimaterike në Shqipëri, shkruan “ATSH”.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, qeveria gjermane vë në dispozicion për projektin shërbime në personel e materiale, si dhe kontribute financimi, në një vlerë të përgjithshme fillestare pre 3 milionë euro, në formën e grantit.

Projekti ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin social dhe ekonomik në Shqipëri, si dhe ka në fokus të forcojë rezistencën e vendit kundër rreziqeve klimaterike, përmes shërbimeve të informacionit për klimën; forcimit në nivel kombëtar të sistemit të paralajmërimit të hershëm; vendimmarrjes së bazuar në informacionet mbi klimën.

Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekti do të kontribuohet në Axhendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimaterike. (Irma)