Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore Prrenjas fitoi çmimin e madh në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit dhe Paqes në Itali. Ansambli përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në këtë festival ndërkombëtar që u zhvillua në Agropoli të Italisë gjatë muajit shtator. Aty morën pjesë ansamble nga vende të ndryshme të Evropës, por dhe Meksika. 16 artistë nga Bashkia e Prrenjasit u paraqitën në garë me këngë, valle dhe instrumentale. Performanca e tyre në skenë u mirëprit dhe duartrokit në skenën e edicionit të 9-të të Festivalit Ndërekombëtar të Folklorit dhe Paqes në Itali, ku u nderua me çmimin e parë. Në intervistë për Radio Ejani artistët instrumentistë të ansamblit, Elton Turtulli drejtues muzike, Fatos Turtulli instrumentist, Olsjon Laçka firzarmoniçist , si dhe Valter Hana koreograf.
Artistët e Ansamblit Prrenjas (Foto për CMG)
CMG: Ju jeni ndarë me çmimin e parë në edicionin e 1-të të Festivalit Folklorik të Paqes në Agropoli të Italisë. Si ju erdhi ftesa dhe cilat janë emocionet e çmimit të parë?
Valter Hana: Ftesa ka ardhur në rrugë institucionale. Ne sapo morëm ftesën e kemi deleguar tek kryetari i Bashkisë së Prrenjasit, i cili ka qenë mbështetje si gjithmonë. Pasi u mblodhëm si staf nisëm përgatitjet se kjo ishte një ngjarje e rëndësishme, pasi ne nuk do përfaqësonim vetëm Prrenjasin, por gjithë Shqipërinë. Kjo ishte hera e parë që vendi ynë prezantohej në këtë festival, i cili përcjell jo vetëm tematikën e folklorit, por edhe të paqes. Nuk prisnim që do fitonim çmimin e parë, pasi konkurrenca në këto festivale është shumë e madhe dhe niveli artistik i grupeve të tjera ishte shumë i madh.
CMG: Sa pjesëmarrës kishte në festival ?
Valter Hana: Ishin mbi shtatë grupe pjesëmarrëse, tre apo katër grupe ishin nga Italia, por kishte dhe nga Meksika, etj.
CMG: Ju u vlerësuat nga juria profesioniste, por cilat ishin komentet nga kolegët e vendeve të ndryshme?
Valter Hana: Vlerësimin e parë ne e morrëm për kostumografinë, e cila u vlerësua nga juria për pjesën e trashëgimisë dhe punimet e veçanta që kemi ne në zonën e Rrajcës, i cili është një kostum shumë antik. Kostumet dhe instrumentat janë të trashëguara mijëra vjeçarë. Tjetër gjë që u bëri përshtypje jurisë ishte kërcimi, sidomos vallja e Rrajcës, e cila ishte “qershia mbi torte” dhe ndërthurrja që kishin elementët e kostumeve me valltarët, të cilët janë nga 10 deri në 14 vjeç. Ata arritën të mbanin rreth 25 minuta program në skenë në natën finale, pa shkëputje bashkë me pjesën e muzikës dhe kjo gjë atyre u bëri shumë përshtypje. Kaq të vegjël dhe me kaq shumë arritje.
CMG: Ju u paraqitët si një grup me artistë të grupmoshave të ndryshme, por si është marrëdhënia mes fëmijëve, adoleshentëve dhe profesionistëve?
Valter Hana: Në kohën e internetit nuk mund të them se është e ndërlikuar, por tek profesioni ynë na ka ndihmuar shumë kjo gjë. Fëmijët janë më të aftë në kohët e sotme, i kuptojnë gjërat shumë shpejt, ndërsa rriten janë kërkues tek vetja. Në Prrenjas marrëdhënia ka qenë shumë e mirë, si me bashkëpunimin me shkollat apo me grupet që kemi tek qendra kulturore e kërcimit, aktrimit, grupin e muzikës kanto, etj.
Artistët e Ansamblit Prrenjas në skenë (Foto për personale)
CMG: Ka rivalitet mes tyre?
Valter Hana: Rivaliteti është mes tyre që secili kërkon të arrijnë më shumë profesionalisht. Nëse nuk ka rivalitet, nuk ka arritje grupi. Është gjë e mirë që kanë konkurencë me njëri- tjetrin që janë të moshës, kush do dali i pari apo dytë. E rëndësishme është se tek çdo valle, ata janë të gjithë solistë dhe pjesëmarrës në çdo festival tonin.
CMG: Kostumet popullore të zonës së Rrajcës kanë veçantinë e tyre, janë të moshave dhe të kategorive të ndryshme.
Valter Hana: Zona e Rrajcës nuk ka vetëm një kostum, një mund të jetë vetëm kur prezantohen të gjithë elementët e tyre. Gjithsej janë 5 kostume, kostumi i parë është për fëmijë, kostumi i dytë është i vajzave dhe i nuseve, që varion në ngjyrën e kuqe dhe të bardhë. Pastaj sa vijnë nuset duke u rritur, shtohen raftet, kësula dhe xhybja lart që është me dekor. Kostumi tjetër është i grave të martuara, që janë bërë për nënat, pra është kostumi i gjysheve me pjesë të tjera elementesh, që nuk e kanë atë të nuses dhe ajo quhet skutë. Tek ky kostum bie në sy pjesa e përparses që ka detaje. Një tjetër kostum është ai i grave të veja. Në Rrajcë ka qenë një zakon, që kur bëheshe gjyshe, kostumi tradicional mbahej i veshur çdo ditë dhe falë kësaj janë trashëguar kostumet.
Artistët e Ansamblit Prrenjas pas fitores (Foto për personale)
CMG: Në familjet e kësaj zone çdo familje ka kostumin e vet tradicional?
Valter Hana: Patjetër, dhe jo nga një por nga katër kostume. Janë artizanë të vërtetë dhe tani kanë filluar që t'i trashëgojnë dhe tek brezat e rinj. Këto kostume kanë filluar të prodhohen dhe të shiten, ka shumë nuse aty por edhe në emigrim, që e marrin kostumin tradicional të kësaj zone ta kenë kujtim.
CMG: Po nga ana koreografike, sa punë u desh për festivalin?
Valter Hana: Ne në Qendrën kulturore në Prrenjas kemi punë çdo ditë me ansamblin, ku kemi pjesëmarrës nga të gjithë brezat. Fëmijët sa mbarojnë shkollën vijnë të punojnë nga dy orë çdo ditë në prova. Për festivalin e Agropolit kemi punuar afërsisht rreth dy javë në mënyrë intensive.
Ndërsa Elton Turtulli Drejtuesi Artistik i Ansamblit, ka treguar rreth punës së instrumentistëve dhe emocioneve që u fali ky aktivitet.
CMG: Elton, je drejtuesi artistik i ansamblit.
Elton Turtulli: Funksioni im ka nisur rreth dy vite më parë me dëshirën dhe pasionin e madh në qendrën kulturore. Që nga dita e parë jam munduar të bëj atë gjë që unë di të bëj më së miri. E kam nisur fillimisht me fëmijët e vegjël me pjesën e korit. Ndërsa në ansambël kam filluar që në moshën 6 vjeçare. E nisa si valltar e më pas duke u angazhuar me instrumentat, duke i praktikuar të gjitha nga pak. Sot kam arritur që të jem pjesë e një stafi të mrekullueshëm aty ku punoj. Ky çmim i parë na ka transmetuar emocione të mëdha. Ne në zonën tonë kemi një himn shumë të bukur, vallen e Rrajcës dhe daullen e ndjejmë që në barkun e nënës. Në këtë festival morëm pjesë me instrumentat tradicionale të zonës tonë, që të trashëguar brez pas brezi, si edhe daullja. Në repertorin tonë kishim edhe valle që i përkisnin krahinave të tjera përveç Rrajcës, si nga Korça, pra u munduam ta bënim pak miks. Kemi futur edhe instrumenta të tjerë si dajre, fizarmonika, duke ndërthurur muzikën dhe koreografinë. Si përfundim doli një punë e shkëlqyer.
CMG: Sa artistë morët pjesë në Itali?
Elton Turtulli: Në Itali ishim 16 persona, 5 ishim instrumentistë, pjesëtarët e tjerë ishin valltarë.
Instrumentisti tjetër i këtij ansambli, Fatos Turtulli tregon për impaktin që krijoi në festival instrumenti i daulles
Artistët e Ansamblit Prrenjas në Itali (Foto për personale)
CMG: Si ishte kjo pjesëmarrje dhe prej sa kohësh je pjesë e këtij ansambli?
Fatosi Turtulli: Jam pjesë e këtij ansambli prej 25 vitesh . Është një kënaqësi që ta dhuron ritmi, por jemi të lidhur edhe me valltarët, pra jemi një grup. Unë u transmetoj atyre ritmin dhe ata ma kthejnë me lëvizjet e këmbëve, të duarve, buzëqeshjen.
CMG: A ka të rinj të talentuar që i bien bukur daulles?
Fatos Turtulli: Aty në zonën tonë ka shumë të rinj që e dashurojnë instrumentin e daulles, madje që nga mosha 5 vjeçare fillojnë të luajnë në këtë instrument.
CMG: Si e pritën në Itali momentin kur fillove të luaje në instrumentin e daulles?
Fatos Turtulli: U mirëprit shumë mirë, krijoi atmosferë.
CMG: Si u ndjeve për këtë çmim të parë?
Fatos Turtulli: Ne kemi fituar shumë çmime vite më parë në Turqi, në Francë, etj, por ky çmim ka qenë befasues dhe shumë profesional.
Pjesë e këtij ansambli është edhe instrumentisti Olsjon Laçka, profesor muzike, që në Itali luajti në fizarmonikë. Ai na tregon më tepër rreth këtij aktiviteti, por gjithashtu shprehet se interesi për këtë instrument sa vjen e po zbehet.
CMG: Olsi, je kompozitor, profesor muzike, por në pjesëmarrjen në Itali ishe në lojën e fizarmonikës. Si e prite këtë çmim?
Olsjon Laçka: Me thënë të drejtën është një përgjegjësi e madhe edhe pse në fillim mund të duket si pjesë argëtimi. Është kënaqësi të transmetosh, ta përcjellësh trashëgiminë kulturore të vendit, sidomos të zonës sonë që është shumë e pasur dhe mund ta them edhe paksa e virgjër. Me syrin tim si kompozitor e shoh si një zonë shumë delikate dhe falë këtyre djemve ne po e ruajmë me shumë fanatizëm dhe shumë kujdes. Falë këtij kujdesi mendoj se kemi arritur në këtë sukses.
Artistët e Ansamblit Prrenjas gjatë aktivitetit në Itali (Foto për personale)
CMG: Si mësues muzike, si është interesi i të rinjve për instrumentin e fizarmonikës?
Olsjon Laçka: Unë jam mësues në shkollën 9- vjeçare, jo në shkollën e muzikës. Aty janë më shumë të orientur drejt vokalit, korit. Bashkë me drejtuesin e muzikës Eltonin, ne po ngrejmë një grup shumë të mirë të korit. Nga aty pastaj spikasin artistë apo këngëtarë që mund të dalin në të ardhmen. Fizarmonika në zonën tonë është një instrument që po rrallohet sepse kanë hyrë instrumente elektronike dhe nuk para përdoret ky instrument.Uroj që me këtë grup kemi gjëra të bukura për të bërë. Edhe instrumenti i fyellit do ishte shumë mirë aty. Profesor Eltoni ka mbaruar Universitetin e Arteve për klarinetë, por edhe pedagogjinë muzikore dhe është profesionist në instrumentat e frymës.
Koreografi Valter Hana na tregon për aktivitetet e ardhshme që do të organizojë Bashkia e Prenjasit
CMG: Në fillim të këtij viti në Prrenjas është mbajtur edhe një tjetër festival. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
Valter Hana: Treva jonë ka shumë pasuri të trashëgimisë kulturore, ne kemi marrë pjesë në festivale të ndryshme në Shqipëri dhe jashtë saj. Këtë herë me stafin dhe kryetarin e bashkisë e kemi menduar, pse të mos kemi edhe ne një festival. Duke qenë se ne kemi qenë të ftuar kudo, tani duhet të presim edhe ne artistë ndërkombëtarë. Pse të mos kemi edhe ne një festival! Këtë herë falë Bashkisë dhe kryetarit Nuri Belba, menduam që ta sillnim "Fest- Folk Prrenjas", duke përfshirë gjithë zonën e Prrenjasit. Viti i parë ishte më 8 gusht dhe aktiviteti u mbajt një natë. Edicionin e parë e kemi prezantuar me këngëtarë e valltarë të zones, por edhe nga disa zona të Shqipërisë. Vitin që vjen po mendojmë që të ftojmë grupe jo vetëm nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Evropa. Disa janë dakord dhe e kanë pranuar ftesën, si komuna e Agropolit ku morëm pjesë së fundi, por presim edhe përgjigje të tjera.
Artistët e Ansamblit Prrenjas (Foto për CMG)
CMG: Ju së shpejti do të keni një tjetër pjesëmarrje
Valter Hana: E ardhmja e ansamblit sapo ka nisur rrugëtimin e vet. Përpara kësaj insterviste sapo na erdhi një ftesë tjetër nga Italia, jemi duke biseduar për të realizuar gjëra të bukura. Shpresojmë që ky ansambël të ketë zhvillimin e vet. Këta fëmijë që sot janë nga mosha 10 deri në 15-vjeçare, do të jenë trashëgimtarët e këtij ansambli. Unë u kam dhënë mësim fëmijëve dhe shpresoj që ata të bëhen edhe më lart se unë.
Tani duhet të punojmë edhe më fort sepse për ne është përgjegjësi e shtuar. Duhet më shumë punë kërkimore që të nxjerrim në pah çdo detaj që i takon, në mënyrë që të prezantohemi sa më mirë në festivale të tjera.
Për Bashkinë Prrenjas por edhe në rang kombëtar kjo ishte pjesëmarrja e parë në një aktivitet kaq të rëndësishëm evropian, duke u vlerësuar me çmimin e parë në këtë festival internacional. Ishin kostument tradicionale të zonës së Prrenjasit të cilat u vlerësuan që janë një vlerë e shtuar, duke i dhënë më shumë identitet përformancës së këtij ansambli. Artistët u vlerësuan me çmimin “Kostumografia më e mirë” dhe me çmimin e parë. Një punë të jashtëzanokshme për këtë prezantim kanë bërë koreografi Valter Hana, drejtuesi i muzikës Elton Turtulli, istrumentistët, Olsjon Laçka, Fatos Turtulli e Çelnik Cani. Në këtë pjesëmarrje përveç shkëmbimeve artistiko-kulturore, pritet që artistët e Bashkisë së Prrenjasit të kenë shkëmbime bashkëpunimesh në të ardhmen me Bashkinë e Agropolit edhe në fusha të tjera. Në këtë ansambël prej 16 artistësh bënin pjesë grupmosha të ndryshme nga profesionistët përfshirë fëmijë mjaft të talentuar të Prrenjasit.
Intervistoi: Sava Lena