10 vjet nga Procesi i Berlinit, Hasani: Të përkushtuar për një rajon më të fortë
2024-10-03 14:24:32

Ministri shqiptar për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, ndërsa nisma shënon 10-vjetorin.

Ministri Igli Hasani (Foto ATSH)

Ministri Igli Hasani (Foto ATSH)

Ministri Hasani ndau momente nga pjesëmarrja në samit, ndërsa vlerësoi se Procesi i Berlinit është nxitës kryesor i bashkëpunimit rajonal, rritjes ekonomike dhe integrimit në Bashkimin Europian për Ballkanin Perëndimor, citon “ATSH”.

“Shqipëria mbetet e përkushtuar në avancimin e marrëveshjeve të mobilitetit dhe forcimin e një rajoni më të fortë dhe më të qëndrueshëm”, - u shpreh kryediplomati shqiptar.

Hasani shtoi se duhet shfrytëzuar ky moment për të afruar Ballkanin Perëndimor më pranë BE-së.

Procesi i Berlinit është një nismë e vitit 2014 për të mbështetur integrimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Katër objektivat e Procesit të Berlinit, të deklaruara që në fillim të tij, mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të rajonit, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i  një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit. (Elona)