Njëvjetori i hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung: Një epokë e re e udhëtimit
2024-10-03 15:11:41

Foto VCG

Përvjetori i parë i hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung u festua të mërkurën. Linja që lidh kryeqytetin e Indonezisë Xhakartë me qytetin e katërt më të madh Bandung, është tani një lidhje thelbësore në rrjetin e transportit të vendit.

Sipas Grupit Hekurudhor Ndërkombëtar të Kinës, numri i shërbimeve të trenave në këtë hekurudhë është rritur nga 14 në një kulm prej 52 në ditë, me afro 5 milionë udhëtarë të transportuar gjatë vitit të kaluar.

Ndërtimi dhe funksionimi i hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung u mbështet shumë në bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Kinës dhe Indonezisë në transferimin e teknologjisë, menaxhimin operacional dhe trajnimin e talenteve. Aktualisht, ekipi kinez ka përfunduar trajnimin kualifikues për më shumë se 160 kursantë indonezianë, duke përfshirë grupin e parë të drejtuesve të hekurudhës e pozicione të tjera.

Hekurudha me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung ka lehtësuar shumë udhëtimin e qytetarëve, duke zvogëluar ndjeshëm kohën që duhet për të udhëtuar midis qyteteve. Udhëtarët shprehen se kjo hekurudhë u sjell më shumë shpejtësi e lehtësi, duke u mundësuar që të mbërrijnë në destinacionet e tyre më shpejt dhe duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së tyre.

Hapja e hekurudhës me shpejtësi të lartë Xhakartë-Bandung ka nxitur gjithashtu rritjen ekonomike në zonat përreth. Ajo ka tërhequr më shumë turistë dhe veprimtari tregtare, duke u dhënë shtysë kështu industrive të ndryshme. (Artan)