BE dënon sulmin iranian me raketa ndaj Izraelit
2024-10-03 14:41:13

Foto nga VCG

Foto nga VCG

 

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dënoi sulmin iranian me raketa balistike ndaj Izraelit dhe theksoi se veprime të tilla kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe përshkallëzojnë tensionet në një situatë tashmë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, shkruan “Panorama”.

Shefja e KE-së u bëri thirrje palëve që të mbrojnë jetën e qytetarëve të pafajshëm.

“Bashkimi Europian vazhdon të bëjë thirrje për një armëpushim përtej kufirit me Libanin dhe në Gaza dhe për lirimin e të gjithë pengjeve të mbajtura për gati një vit”,- bëri të ditur von der Leyen.

Ndërkohë, presidenti francez, Emmanuel Macron, dënoi sulmet e reja të Iranit kundër Izraelit. Ai kërkoi njëkohësisht që Hezbollahu të ndalë veprimet terroriste kundër Izraelit dhe popullsisë së tij dhe u kërkoi autoriteteve izraelite që të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur operacionet e tyre ushtarake.

Ndërsa ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, duke dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit dhe duke bërë thirrje për ndaljen e tij, deklaroi në një postim në “X” se vendi e ka paralajmëruar fuqishëm Iranin kundër këtij përshkallëzimi të rrezikshëm, që po e çon rajonin më tej në humnerë. (Elona)