Treguesi i besimit në ekonomi, rritje për të tretin muaj radhazi
2024-10-03 11:30:05

 Biznes (Foto ATSH)

Treguesi i besimit në ekonomi u rrit me 0.6 pikë përqindje në muajin shtator, rritje e ngjashme me zgjerimin mesatar të dy muajve të mëparshëm.

Rritja e këtij treguesi këtë muaj u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, të ndërtimit dhe të shërbimeve, shkruan “ATSH”.

Nga ana tjetër, besimi në sektorin e tregtisë regjistroi rënie të lehtë, ndërsa besimi konsumator mbeti në të njëjtin nivel me atë të muajit të kaluar.

Treguesi i Besimit të Industrisë u rrit me 2.5 pikë përqindje në muajin shtator, duke vijuar rritjen për të katërtin muaj radhazi.

Niveli i tij qëndron rreth 14 pikë përqindje mbi mesataren historike. Rritja u ndikua nga vlerësimet më pozitive të bizneseve për prodhimin industrial aktual, si dhe pritje më optimiste për porositë nga eksportet.

Pritjet për çmimet në të ardhmen janë rishikuar për lart krahasuar me muajin e kaluar.
Treguesi i besimit në ndërtim u rrit me 1.2 pikë përqindje në shtator. Niveli i tij vijon të qëndrojë mbi mesataren historike, me rreth 27 pikë.

Rritja u drejtua kryesisht nga vlerësimet më optimiste për aktivitetin aktual ndërtues. Pritjet për punësimin u rritën lehtë, ndërsa pritjet për çmimet regjistruan rënie këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime u rrit me 3.1 pikë përqindje në shtator. Pavarësisht luhatjeve mujore, niveli i treguesit qëndron mbi mesataren historike me 18 pikë përqindje. (Elona)