Zhvillimi i ndërtimit në vend nuk ndalet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ekonomi. Bazuar në shifrat e Instat për tremujorin e dytë të këtij viti thuhet se ky sektor shënoi rritje të shitjeve neto në volum me 17.2% duke dhënë një kontribut të lartë në punësim dhe më gjerë. Reinaldo Pipiria Drejtor Ekzekutiv i NAREA (Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme) flet për punën në terren.
Eksperti Reinaldo Pipiria (Foto Abc news)
“Në fakt kemi ndjekur zhvillimet dhe statistikat jo vetëm për këtë vit, por që nga koha e pas pandemisë, po themi 2020-2021, ka një trinom, i cili po kontribuon shumë në ekonominë shqiptare, është ndërtimi, është sektori i turizmit dhe Real Estate. Në statistikat tona, këta sektorë bashkë japin 1/ 3 e ekonomisë. Ndërtimi ka qenë duke performuar këto vite sidomos duke iu përgjigjur dy tipologjive të kërkesave, një tipologjie që vjen për të rritur standardet e strehimit dhe tipologjia tjetër që vjen krah për krah me sektorin e turizmit. Për sa kohë që duam të kemi një turizëm i cili duhet të jetë pak më elitar dhe duhet të përballojmë fluksin e turistëve duke u rritur, patjetër që pjesa e zhvillimit të infrastrukturës është shumë e rëndësishme.”- thotë Pipiria.
Ndërtimi rezulton gjithashtu sektori që ka regjistruar një rritje me 5.5 për qind të
numrit të të punësuarve, e shoqëruar kjo me një rritje me 13 për qind të fondit të pagave.
“Ka sfida për të arritur realizimin e projekteve për shkak se mungon krahu i punës dhe mendoj që shkon për shtat me gjithë projektet e reja që janë duke u zhvilluar në Shqipëri, qoftë në Tiranë, por dhe në zonën e bregdetit ngelet sfidë shtimi i punëtorëve. Jo vetëm duhet të ketë rritje, por duhet të gjejmë mënyra për të tërhequr krahun e punës pasi kur flasim për investime të huaja dhe për rrjete hotelesh të rëndësishme ka afate.”
Ndërtime (FotoBold NEws.al)
Kostot në ndërtim i mbajnë çmimet në nivele të larta. Tendenca duket se do të vazhdojë e njëjtë, me rritje
“Është e vërtetë që çmimet kanë qenë duke u rritur dhe çmimet do vazhdojnë duke u rritur, por ritmi i rritjes është më i ngadalësuar, për shkak se tregjet arrijnë ekuilibrat dhe maturinë e tyre. Nëse shohim vrojtimet e raporteve të Bankës së Shqipërisë në dy 6 mujorët e fundit, gjashtëmujori i dytë i vitit 2023 dhe gjashtëmujori i parë i 2024, ritmet e rritjes janë pozitive, pritshmëritë janë pozitive, vetëm rritja e çmimit nuk është më dy shifror por ngelet një shifror. Pra dikur gjashtëmujori i dytë i 2023 ishte 3.2%, tremujor në krahasim vjetor, ndërkohë që 6 mujori i parë i 2024 nëse marrim 6 mujorin e parë të 2023 krahasuar me 2024 rritja ishte 8%. Pra do të vazhdojë të ketë një rritje dhe trendet do të jenë pozitive. “- tha Drejtori i NAREA-s.
Në Shqipëri një peshë të rëndësishme në ndërtim po zënë hotelet dhe njësitë për zyra.
“Ajo që të paktën ndodh në tregun e Real Estate, sa herë që ka zhvillime dhe sa herë që ka një produkt, tregu reagon. Nëse nuk do të kesh një ofertë, e cila është kompetitive, e cila ka kushte më të mira ndërtimi, e cila patjetër që sjell produkte që mungojnë në atë treg, shikojmë një pjesë e ndërtimeve të fundit në Tiranë, qoftë edhe projekteve që vijnë nga arkitektë të huaj në qendër të Tiranës apo në zonat elitare janë përdorime miks. Nuk po ndërtohet më vetëm për banim, por po ndërtohet për 2 produkte që kanë munguar në kapacitete shqiptare, një është hoteleri e nivelit më të mirë, e dyta janë hapësirat e zyrave, që fatkeqësisht në Shqipëri akoma nuk është një produkt me parametra që duhet, jashtë zonave të banuara, ose jashtë hyrjeve të përbashkëta nëpër pallate. Ne shikojmë që zyrat mungojnë dhe ky duhet të jetë një produkt që duhet të vazhdojë të sërviret në treg.”
Ndërtime të reja (Foto Inf.93)
Prezenca e arkitektëve të huaj me projekte të mëdha i jep edhe më shumë peshë ndërtimeve në vend.
“Unë vij nga eksperiencë në vitet 2013-2016, duke punuar me arkitektë të huaj dhe një nga zhvillimet kryesore sidomos për sa i përket pjesës së produkteve të zyrave sa herë që një studio arkitekturore ndërkombëtare apo një arkitekt ndërkombëtar hyn në një treg siç është Shqipëria patjetër që sjell inovacion. E para po sjell ide më të reja, më të freskëta, e dyta mendoj që sjell një standard në projektim, por sjell jo vetëm standard në mënyrën sesi ndërtohet. Nëse bëjmë krahasimin 10 vite më parë me projektin që unë kam qenë i përfshirë, ideja dhe standardet që vinin për sa i përket sistemeve të sigurisë, sistemeve të mbrojtjes ndaj zjarrit, kushtet e eficencës së energjisë, të gjitha këto vinin me ide më të freskëta dhe më të përditësuara në krahasim me atë çfarë kishim arritur tashmë brenda vendit. Bashkimi i të dy shkollave, një shkolle ndërkombëtare, e cila ecën me standardet evropiane dhe një shkolle me standardet vendase, patjetër që sjell zhvillim.”
Për Klan News, eksperti jep edhe parashikime për të ardhmen.
“Mendoj që pritshmëritë tona, ne e kemi parashikuar që në fillim të 2023 që rritja do të ishte njëshifrore. Duhet të kuptojmë që një pjesë vjen për shkak të inflacionit në vitet e fundit në gjithë shportën jo vetëm tek ndërtimet, por edhe tek konsumi ka qenë i lartë për shkak të presioneve inflacionisteve pas luftës së Ukrainës. Sido që të jetë inflacioni synohet të jetë nga Banka e Shqipërisë 2-4%, dhe duhet të presim që një 4-5% vit pas viti do të kemi indeksim të çmimeve. Nga ana tjetër vjen dhe pjesa e kostove të ndërtimit. “
Nga sektori i ndërtimit vijojnë të ngrenë shqetësimin për kostot e larta në realizimin e veprave, bashkuar kjo me barrën e taksave.
“Kjo pjesa e kostove të ndërtimit, një pjesë është pjesa e pronarit që ne shikojmë sidomos në zonat elitare ku bëhet fjalë për projektet me arkitektë ndërkombëtarë, një pjesë vijnë në zona shumë të mira ku kosto, pjesë e pronarit është 40-45%. Një pjesë tjetër vjen për shkak të kostove të ndërtimit që në përgjithësi shkon tek 35%, por duhet të kuptojmë që është dhe barra fiskale, taksat që janë 1 apo 8 dhe 3% pjesa e pastrehë, por duhet të kuptojmë që 1 apo 8 dhe 3% në total po themi 12% që vjen dhe bashkë me të pastrehët nuk janë mbiçmimet mbi volumet e ndërtimit dhe mbi kostot, por janë mbiçmimet e shitjeve, mbiçmimet e referencës. Ne dimë që çmimet e referencës janë rritur 78% të paktën vitin e kaluar në disa zona, në disa zona 30, 50 apo 60% mesatarisht. Mendoni që të gjitha këto 12% duhet të rritet të paktën 50%. Një 6% ndryshim nga 2023 në 2024 duke filluar nga gushti i 2023 shumë ndërtues duhet ta reflektojnë në çmimin që duhet të tregojnë pronat, që po i tregtojnë aktualisht në 2024.”