Kryebashkiaku Veliaj: Ushqim falas në shkollat e Tiranës, qendër për fëmijët me nevoja të veçanta
2024-10-03 11:35:32

Erion Veliaj (Foto ATSH)

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dha dy lajme të rëndësishme për fëmijët e kryeqytetit shqiptar dhe ata me nevoja të veçanta.

Duke nisur nga shtatori i vitit të ardhshëm, të gjithë nxënësit e Tiranës do të përfitojnë ushqim falas në shkollat publike. Ky vendim synon të sigurojë një fillim të barabartë për të gjithë fëmijët, pavarësisht gjendjes ekonomike të familjeve të tyre apo situatës familjare.

Në të njëjtën kohë, Veliaj njoftoi edhe për një projekt tjetër të rëndësishëm: ndërtimin e një qendre për fëmijët e spektrit autik dhe ata me sindromën Down. Kjo qendër do të ofrojë mbështetje të specializuar për fëmijët me nevoja të veçanta, duke u siguruar atyre një ambient të përkushtuar për zhvillimin dhe integrimin e tyre, shkruan “ATSH”.

“Në një nga pronat më të çmuara të Tiranës duam të ngremë një qendër ekselence për të gjithë fëmijët e spektrit autik dhe ata me sindromën Down. E meritojnë gjithë vëmendjen tonë. Duam të jemi të parët edhe për të ndihmuar engjëjt tanë me nevoja speciale, ashtu siç po kujdeseni pranë çerdheve, kopshteve, shkollave, ashtu të kemi edhe një qendër specifike edhe për pjesën pas mësimit. Secili meriton të ketë një shans të përmirësohet dhe të shkëlqejë në Tiranë”, - u shpreh Veliaj. (Elona)