Qeveria shqiptare miraton pozicionin negociues për anëtarësimin në BE
2024-10-03 14:23:30

Kryenegociatorja e Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, deklaroi se qeveria shqiptare miratoi pozicionin negociues për çeljen e negociatave për grupkapitujt e parë, për rrugëtimin e vendit drejt BE-së.

Gjatë një prononcimi për mediet pas mbledhjes së kabinetit qeveritar, Dhuka tha se në javët në vijim do të mirëpritet organizimi i konferencës së dytë ndërqeveritare për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE, shkruan “RTSH”.

Kryenegociatorja per integrimin (Foto Rtsh)

Kryenegociatorja per integrimin (Foto Rtsh)

Dhuka tha se Shqipëria ka bërë progres drejt përmbushjes së reformave dhe kushteve për anëtarësim, ndërsa shtoi se lidhur me integrimin në BE pozita dhe opozita i kanë marrë vendimet së bashku pavarësisht politikës së ditës.

“Miratuam pozicionin negociues për çeljen e negociatave për grupin e parë të kapitujve që njihen si Themeloret. Me këtë vendim, Shqipëria hyn në një fazë të re në procesin e negociatave me BE-në. Ky është proces kompleks, dinamik, me zhvillime pozitive si në drejtim të progresit dhe reformave të vendit por dhe në drejtim të BE-së. Në javët në vijim, Shqipëria mirëpret vendimin e vendeve anëtare të BE-së dhe mirëpret organizimin e konferencës së dytë ndërqeveritare, sipas vendimit të vendeve anëtare të Unionit. Shqipëria ka bëtë progres të dukshëm në reformat e rëndësishme, përfshirë atë në drejtësi dhe reforma të tjera në lidhje me funksionimin e institucioneve. Sa i përket pozitës dhe opozitës, ato janë së bashku për anëtarësimin dhe i kanë marrë bashkë këto vendime të rëndësishme, pavarësisht politikës së ditës”,- u shpreh Dhuka. (Elona)