Veriu i Shqipërisë, ndër rajonet më të varfra të Europës
2024-10-03 11:36:33

Familje në veri (Foto Panorama)

Veriu i Shqipërisë bashkë me rajonin e Vanit në Turqi rezultojnë të jenë më të varfrit në Europë, bazuar në treguesin e të ardhurave për frymë i matur nga fuqia blerëse në raport me mesataren e BE-së, referon vjetari rajonal 2024 i Eurostat-it.

Sipas të dhënave, fuqia blerëse në rajonin e veriut të Shqipërisë është sa 25% e mesatares së BE-së, duke lënë pas vetëm rajonin lindor të Vanit në Turqi me 24% të mesatares së BE-së, shkruan “Panorama”.

Konvergjencën më të madhe me nivelin ekonomik të BE-së e ka rajoni i qendrës së vendit me qarqet e Elbasanit të Tiranës. Në këtë rajon, fuqia blerëse është sa 38% e mesatares së BE-së raporton Eurostat-i, i cili referon se edhe rajoni i jugut në Shqipërisë (Berat, Fier, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë) ka fuqinë blerëse sa 28% e mesatares së BE-së.

Në total, Shqipëria ka të ardhurat për frymë në raport me fuqinë blerëse sa 34% e mesatares së BE-së. Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa në vendet e Ballkanit Perëndimor, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse. (Elona)