Berlin, kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor kërkojnë përshpejtimin e procesit të integrimit në BE
2024-10-03 15:00:38

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, të mbledhur në Berlin, kanë miratuar një deklaratë të përbashkët, ku kërkojnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian të përshpejtojnë procesin e anëtarësimit, shkruan “ATSH”.

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (Foto ATSH)

Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor (Foto ATSH)

Në këtë mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, theksoi se tani është momenti që procesi i zgjerimit të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.

“Kanë kaluar më shumë se 20 vjet qëkur BE-ja premtoi në Selanik anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet që të pranojmë se ky premtim nuk është përmbushur, ndaj dhe unë mund ta kuptoj pse shumë njerëz janë të zhgënjyer nga kjo. Ne tani kemi një shans historik për të rinovuar premtimin që është bërë, duke ndërmarrë veprime konkrete. Anëtarësimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE është një domosdoshmëri gjeopolitike. Ne nuk i shohim vendet tuaja si zona gri, por si partnerë, si miq europianë. Duam që ju të anëtarësoheni në BE sa më shpejt që të jetë e mundur”,- tha ajo.

Takimi i kryediplomatëve të Ballkanit Perëndimor i paraprin takimit të liderëve të këtij rajoni në kuadër të Procesit të Berlinit, nën drejtimin e kancelarit gjerman Olaf Scholz.(Elona)