Konflikti në Lindjen e Mesme, rritet çmimi i naftës
2024-10-03 11:33:26

 Foto VCG

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje pas sulmit me raketa të Iranit ndaj Izraelit. Nafta e papërpunuar “Brent”, standardi global, është rritur me 2 për qind duke shkuar në 74.88 dollarë për fuçi, ndërsa “WTI”, standardi i SHBA-së ishte 71.20 dollarë.

Rritja e tensioneve në rajon ka sjellë shqetësime në tregjet financiare.

“Goditja më e madhe do të vinte nëse Izraeli do të sulmonte pjesën ekonomike të Iranit, prodhimin e tij të naftës. Nëse Izraeli gjymton industrinë e naftës së Iranit, tregjet globale do të ishin në tensione të mëdha”,- shkroi Stephen Innes, partner menaxhues në “SPI Asset Management”.

Irani është një nga prodhuesit më të mëdhenj dhe anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), bën të ditur “RTSH”.

Irani eksporton pjesën më të madhe të naftës në Kinë për shkak të sanksioneve të gjata ndërkombëtare, por analistët kanë thënë më parë se një reduktim i këtyre eksporteve do të kishte një ndikim masiv në tregun global. (Elona)