Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj (Foto ATSH)
Nga 1 tetori, të gjithë fermerët shqiptarë që kanë një NIPT, apo grupe fermerësh, mund të aplikojnë për të përfituar nga skema kombëtare e investimeve në bujqësi.
Lajmin e ka dhënë ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e cila nëpërmjet një videomesazhi të shpërndarë në rrjetet e saj sociale, fton të gjithë fermerët të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara, të aplikojnë për të përfituar nga kjo skemë, citon “ATSH”.
“Kam kënaqësinë të njoftoj hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi, një nismë e qeverisë shqiptare, e cila synon zhvillimin e ekonomisë bujqësore dhe modernizimin e kësaj të fundit”,- u shpreh ministrja Denaj.
Ministrja informon se fermerët kanë mundësi që përmes një fondi prej 1.5 miliardë lekësh të përfitojnë financim në formën e një granti prej 50% të vlerës së investimit në ndërtimin e serrave diellore, në rritjen e mekanikës bujqësore, në rrjetat antibreshër, në nxitjen dhe zhvillimin e akuakulturës detare dhe në stabilimentet e mbarështimit të kafshëve dhe shpendëve. (Elona)