BE: Marrëveshja për huan për Ukrainën pritet të finalizohet deri në fund të tetorit
2024-10-02 11:19:44

Zëvendëspresidenti ekzekutiv i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, deklaroi se vendet e G7-s duan të arrijnë një marrëveshje politike për kredinë prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën deri në fund të tetorit, në mënyrë që paratë të mund të disponohen para fundit të këtij viti, shkruan “ATSH”.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

“Presidenca e G7-s tani synon përkushtimin politik për pjesëmarrjen në këtë iniciativë, e cila do t’u lejojë të gjithë huadhënësve të grupit kohë të mjaftueshme për të vënë në funksion kreditë deri në fund të këtij viti”,- tha Dombrovskis.

Kredia për Ukrainën do të sigurohet nga fitimet e krijuara nga asetet ruse të ndaluara në Perëndim. Më shumë se dy të tretat e aseteve, rreth 210 miliardë euro, janë në BE. Unioni do të sigurojë pjesën më të madhe të kredisë, deri në 35 miliardë euro (39 miliardë dollarë).

Dombrovskis tha se SHBA-ja po frenohej pasi kishte nevojë për garanci nga Europa se paratë e siguruara nga asetet e ngrira do të ishin në dispozicion për të shlyer kredinë për aq kohë sa të ishte e nevojshme.

Problemi është se vendimi i BE-së për ngrirjen e parave të Rusisë duhet të rinovohet çdo gjashtë muaj me unanimitet në bllokun 27-vendesh. Kjo krijon pasiguri ligjore, sepse Hungaria, miqësore me Rusinë, mund të ndalojë rinovimin.

“Për të adresuar shqetësimin e SHBA-së, BE-ja dëshiron të zgjasë periudhën e rinovimit nga 6 në 36 muaj, me një votim me unanimitet në tetor. Suksesi është i mundshëm, por jo i sigurt. Në mungesë të një ndryshimi të tillë, SHBA-ja ende mund t’i bashkohet nismës, por me një shumë më të ulët”, tha Dombrovskis.

G7-a përbëhet nga SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia. BE-ja në tërësi, e përfaqësuar nga institucionet e saj, është gjithashtu pjesë e grupit.(Elona)