Shqipëri - Nga 1 tetori nisi indeksimi i pensioneve me 4.1%
2024-10-02 11:01:19

Pensioniste (Foto Panorama)

Pensioniste (Foto Panorama)

Nisi më 1 tetor indeksimi i pensioneve në masën 4.1% për 791.257 pensionistë shqiptarë. Indeksimi bëhet duke u bazuar në llogaritjen e Institutit të Statistikave të indeksit mesatar vjetor të muajit gusht 2024 për mallrat e shportës për pensionistët, shkruan “ATSH”.

Indeksimi është detyrim ligjor i skemës së sigurimeve shoqërore. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përllogariten në afro 1.7 miliardë lekë vetëm për tre muajt e vitit 2024.

Synim kryesor i indeksimit është ruajtja e fuqisë blerëse të pensioneve kundrejt rritjes së çmimeve dhe efekteve të inflacionit.

Qeveria ka paralajmëruar se nga mesi i këtij muaji do të nisë edhe konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve.

Sipas ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, për skemën e re në fokus do të jetë vendosja e barazisë mes profesioneve me të ardhura të njëjta.

Nga ana tjetër, ai ka deklaruar edhe se bonusi i fundvitit këtë dhjetor do të jetë më i lartë sesa në vitet e shkuara. (Elona)