Ministri britanik (Foto Atsh)
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, u kërkoi shtetasve britanikë që të largohen nga Libani, pasi, sipas tij, situata në vend mund të bëhet shumë më e rrezikshme, shkruan “ATSH”.
Qeveria britanike ka vënë në dispozicion një fluturim nga Libani për britanikët që duan të largohen, pasi Izraeli njoftoi nisjen e ofensivës ushtarake tokësore në pjesën jugore të vendit.
Avioni pason përpjekjet për të siguruar vende në fluturimet e mbetura komerciale jashtë Bejrutit duke përfshirë një për në aeroportin britanik “Heathrow”.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur tashmë trupa në Qipro në rast se situata përkeqësohet më tej dhe nevojitet një evakuim emergjent.
Në një video-mesazh të postuar në internet, Lammy tha se situata është e paqëndrueshme dhe ka potencial të përkeqësohet shpejt.
“Ne vazhdojmë planifikimin e emergjencës për një sërë skenarësh në rajon, por ju nuk duhet të prisni për këto. Ne e dimë se situata në terren mund të bëhet shumë, shumë më e rrezikshme. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë garanci që një opsion tjetër do të jetë i disponueshëm. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar po ofron një mundësi që ju të largoheni tani”,- tha ai. Në Liban jetojnë rreth 5000 shtetas britanikë. (Elona)