Mark Rutte merr zyrtarisht detyrën si kreu i NATO-s
2024-10-02 11:18:33

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Ish-kryeministri holandez, Mark Rutte, mori zyrtarisht detyrën si kreu i NATO-s. Ai zëvendëson norvegjezin Jens Stoltenberg, i cili ka qenë në detyrë për 10 vjet.

“E di që NATO-n do ta lë në duar të sigurta. Mark Rutte është një mbrojtës i vërtetë i marrëdhënieve transatlantike, një lider i fortë dhe një ndërtues konsensusi”,- shkroi Stoltenberg në një postim në “X”, citon “ATSH”.

Pasi filloi një karrierë në menaxhim biznesi, Rutte hyri në politikën kombëtare në vitin 2002 si anëtar i kabineteve të Jan Peter Balkenende. Ai fitoi zgjedhjet e udhëheqjes së VVD-së në vitin 2006 dhe e udhëhoqi partinë drejt fitores në zgjedhjet e përgjithshme të 2010-s. Pas negociatave të gjata të koalicionit, ai u bë kryeministër i Holandës, si i pari liberal në 92 vjet që u emërua në krye të kabinetit qeveritar holandez.

Përveç konfliktit ruso-ukrainas, liderit holandez do t’i duhet të merret dhe me rezultatin e zgjedhjeve amerikane në nëntor, pasi vetëm SHBA-ja përfaqëson gjysmën e peshës ushtarake të aleancës.

Perspektiva e kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ndjek korridoret e NATO-s në Bruksel.

Tejet mosbesues ndaj aleancës, të cilën ai e cilësoi si të vjetruar, miliarderi amerikan ka shtuar kritikat e tij ndaj aleatëve europianë, se nuk kanë shpenzuar mjaftueshëm për mbrojtjen e tyre. Ndarja më e mirë e barrës është një kërkesë e vazhdueshme amerikane.

“Falë viteve të përvojës së tij në politikën holandeze dhe në skenën ndërkombëtare, Rutte ka zhvilluar një aftësi reale për të gjetur ekuilibra. Kjo aftësi politike do të testohet në një nivel të paprecedentë në vitet në vijim”,- deklaroi Philippe Dickinson, i Këshillit Atlantik. (Elona)