Koalicioni kundër ISIS (Foto RTSH)
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, siguroi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të kontribuar aktivisht në luftën kundër ISIS-it dhe promovimin e shoqërive të hapura dhe harmonike ndërfetare, citon “RTSH”.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global Kundër ISIS, në Washington D.C, ministri Hasani vuri në dukje rolin e Shqipërisë në kontributin ndaj koalicionit.
Në deklaratën e përbashkët të miratuar në takim, i cili shënoi 10-vjetorin e koalicionit, u bëhet thirrje partnerëve që të tërheqin shtetasit e tyre që aktualisht gjenden në kampet e Al-Hojit dhe Rojit, si dhe vijimin e mbështetjes për forcat e sigurisë së Irakut, nëpërmjet vijimit të kontributeve në misionin e NATO-s (NMI). (Elona)