Shqipërisë pritet t’i shtohen dy aeroporte të reja në jug të vendit ai i Vlorës dhe Gjirokastrës. Ekspertja e turizmit Brunilda Liçaj jep më shumë detaje lidhur me impaktin që do të kenë këto dy porta të reja ajrore për Shqipërinë turistike dhe më gjerë.
“Jo vetëm aeroportet, por çdo infrastrukturë është shumë pozitive, ndikimin e saj në zhvillimin e turizmit dhe jo vetëm. Ne flasim që në kohën e zogut, Shqipëria ishte dhe ndërtuar me aeroporte. Në këtë moment është shumë e nevojshme hapja e aeroportit të Gjirokastrës dhe për faktin se konkurrenca mes destinacioneve bën që një pjesë e turizmit që vijnë në Gjirokastër apo në Sarandë shkojnë në aeroportin e Korfuzit. Një pjesë të tregut e kemi siguruar nga ata. Po kështu edhe nga shqiptarët që do vijnë nga Vlora. Aeroportet do të shtojnë fluksin e turistëve gjatë gjithë vitit, do mundësojë përmbushjen e këtyre njësive akomoduese dhe do të bëjnë rotacionet dhe qarkullimin, si ekonomi qarkulluese të Gjirokastrës”, u shpreh ekspertja.
Aeroport Vlore (Shqiptarja.com)
Ngritje e aeroporteve afër qendrave sjell më tepër turistë.
”Ideja është që turistët kërkojnë ato aeroporte apo destinacione që janë të paktën në një rreze 1 orë apo maksimumi 1 ore e çerek nga aeroporti. Në këtë këndvështrim Gjirokastra dhe Vlora janë zgjedhje optimale, për pjesën e turizmit.”
Infrastruktura e re e çdo forme jep shtysë të jashtëzakonshme në aksesin turistik dhe atë sportiv.
“Në zonën e Vlorës janë Orikumi, Pashalimani, Sazani që do ndërtohet, Karaburuni apo lumi i Vlorës, që përmbledh Labërinë. Për këto aktivitete ka tematika të ndryshme, ndërsa aeroporti i Gjirokastrës do të jetë për avionët më të vegjël, më të lehtë, më sportivë. Të gjitha aktivitetet sportive kanë shtuar numrin e të apasionuarve”
Ekspertja Brunilda Liçaj (Foto Linkedin)
Ekspertja Liçaj thotë për televizionin Scan se turizmi detar po jep një kontribut të rëndësishëm në të ardhura.
“Kemi pjesën e turizmit detar që është rritur dhe turistët shpenzojnë. Mbase ndonjëherë turizmi detar nuk sjell shpenzime në hotele, sepse kanë varka dhe jahte, por ushqimin do detyrohen ta marrin. Shërbimet e ndryshme për anijet apo varkat do t’i marrin, pra janë segmente të lidhura. Unë e shikoj dhe veriun të lidhur me këtë pjesë, përshembull në Valbonë kanë filluar të futen me helikopterë, që kanë sjellë turistë elitarë. Edhe pse s’behën shumë publike, por ka kompani që sjellin turistë elitarë që shpenzojnë shumë duke bërë ski, pavarësisht se ne nuk i kemi të njohura për mediat, por janë destinacione me të ardhura.”- shprehet Liçaj.
Turistët në Rinas (Foto ATSH)
Nisur nga interesimi i shumtë i turistëve, tashmë Shqipëria po preket në çdo stinë nga të huajt.
“Ajo çfarë kërkojnë turistët janë ture ditore. Tiranë-Berat, Tiranë-Bovillë, ndërsa për më të pasionuarit pas natyrës, janë vizitat në Gjirokastër, Tiranë, Sarandë. Nëse shikoni apo pyesni agjencinë turistike do thonë të njëjtën gjë. Berati dhe Gjirokastra janë dy kulmet e zhvillimit, por edhe Kruja e Shkodra kanë marrë shumë zhvillim kohët e fundit dhe turistët që udhëtojnë në këto drejtime janë rritur jashtëzakonisht sidomos me hapjen e segmenteve të reja do jetë më mirë akoma. Këto qytete kanë shumë elementë të tjerë që janë të lidhur dhe me Kanionet e Osumit dhe me Kanionet e Bençës në rajonin e Gjirokastrës, apo me rafting në të dy zonat. Në veri është Lumi i Shalës”
Përfaqësues të qeverisë kanë deklaruar se punimet për ndërtimin e aeroportit të Vlorës parashikohet të përfundojnë në vitin 2025 kur do të nisin fluturimet. Në vitin e pare projeksionet optimiste flasin për më shumë se 1 milionë pasagjerë vetëm në Vlorë.