Avion (Foto Panorama)
Familjet shqiptare gjithmonë e më shumë po shpenzojnë për udhëtime. Sipas të dhënave të INSTAT-it, që referohen në treguesit e fundit të “Burimeve dhe përdorimeve” në ekonomi, familjet shqiptare kanë shpenzuar për shërbimet e transportit ajror (bileta avioni) rreth 11.7 miliardë lekë (117 milionë euro) në vitin 2023. Në vitin 2022, konsumi i familjeve shqiptare për shërbimet ajrore ishin 7.5 miliardë. Në 2023-shin, shpenzimet e familjeve për shërbimet e transportit ajror shënuan rritje vjetore me 55.7%, shkruan “Panorama”.
Burimet nga TIA pohojnë se fluksi i udhëtimeve në aeroportin “Nënë Tereza” është rritur ndjeshëm nga viti në vit.
Në vitin 2023, aeroporti shqiptar regjistroi rreth 7.3 milionë pasagjerë, me rritje 39% në krahasim me vitin 2022.
Ndërsa nga janari deri më 21 shtator 2024 janë tejkaluar 8 milionë pasagjerë, duke sinjalizuar se rritja e fluksit të udhëtimeve do të jetë edhe më e lartë këtë vit.
Të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e fluksit të lëvizjeve vjen nga udhëtimet e shqiptarëve jashtë vendit.
Biletat e lira dhe rritja e shërbimeve “low cost” po bëjnë që gjithnjë e më shumë shqiptarë të kalojnë fundjavat jashtë vendit. (Elona)