Nis nga Elbasani fushata ndërgjegjësuese për “Tetorin rozë”
2024-10-02 10:46:11

Fushata e “Tetorit rozë” me sloganin “Ia vlen të jetosh”, që ka për qëllim ndërgjegjësimin për parandalimin dhe diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit, nisi nga Elbasani.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, tha se shifrat tregojnë që ka rritje të numrit të rasteve të grave dhe vajzave të prekura nga tumori i gjirit, citon “ATSH”.

Albana Koçiu (Foto ATSH)

Albana Koçiu (Foto ATSH)

Ministrja Koçiu u shpreh se duhet të rritet ndërgjegjësimi, sepse mjekësia rekomandon që nëse diagnostikohet më herët, shanset janë shumë të mëdha për ta mundur sëmundjen.

“Shifrat tregojnë se 99% e rasteve të zbuluara herët mund të shpëtojnë jetën. Gjithçka që duhet të kuptojmë na i thonë këshillat e thirrjet e vazhdueshme të mjekëve që përballen me raste që shtohen. Ndaj duhet të rrisim sa më shumë ndërgjegjësimin për të luftuar këtë sëmundje”,- nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu iu bëri apel të gjitha grave dhe vajzave të kujdesen për veten, për të bërë një ekzaminim, një ekografi, një mamografi të domosdoshme për të shpëtuar jetën e tyre.

Nga data 1 deri në 31 tetor do të ofrohen kontrolle falas në të gjitha spitalet apo qendrat shëndetësore në të gjithë Shqipërinë. Krahas qendrave spitalore qendrore e rajonale, ministrja tha se janë edhe njësitë lëvizëse që do të mundësojnë mamografi edhe në zonat më të thella të Shqipërisë. (Elona)