Udhëheqësit e Rusisë, Koresë së Veriut, Vietnamit, Laosit dhe Kubës dërgojnë urime për 75-vjetorin e RPK-së
2024-10-02 15:48:44

Udhëheqësit e Rusisë, Koresë së Veriut, Vietnamit, Laosit dhe Kubës i kanë dërguar kohët e fundit mesazhe ose letra urimi presidentit kinez Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), me rastin e 75-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës (RPK).

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti rus Vladimir Putin shprehu urimet më të përzemërta për palën kineze, duke thënë se, nën udhëheqjen e Xi Jinping-ut, Kina ka pasur arritje të jashtëzakonshme në zhvillimin ekonomik, shoqëror, shkencor e teknologjik dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjeve të nxehta ndërkombëtare dhe rajonale.

Ai shtoi se Rusia e vlerëson miqësinë e fqinjësisë së mirë midis dy vendeve dhe është e gatshme të konsolidojë më tej partneritetin e gjithanshëm strategjik të bashkërendimit për epokën e re.

Kim Jong Un, sekretari i përgjithshëm i Partisë së Punëtorëve të Koresë dhe president i Koresë së Veriut, shprehu bindjen se populli kinez, duke u bashkuar ngushtë rreth PKK-së me Xi Jinping-un në krye, do të arrijë me siguri Objektivin e Njëqindvjetorit të Dytë.

Nguyen Phu Trong, sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit dhe president i Vietnamit, shprehu besimin e tij të fortë se, nën udhëheqjen e Komitetit Qendror të PKK-së me Xi Jinping-un në krye, populli kinez do të arrijë me siguri objektivat dhe strategjitë e zhvillimit të shpallura në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së dhe do ta shndërrojë Kinën në një vend të madh socialist modern të begatë, të fuqishëm, demokratik, të përparuar nga ana kulturore, harmonik dhe të bukur. 

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Revolucionare të Popullit Laosian dhe presidenti i Laosit Thongloun Sisoulith theksoi se Laosi i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me Kinën. Pala laosiane është e gatshme të punojë me Kinën për të promovuar ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Laos-Kinë, duke krijuar në mënyrë të vazhdueshme rezultate të frytshme.

Gjeneral Raul Kastro, udhëheqës i Revolucionit Kuban, dhe Miguel Diaz-Canel, sekretari i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kubës dhe president i Kubës, thanë se arritjet e mëdha të RPK-së që nga themelimi i saj 75 vjet më parë dëshmojnë plotësisht se socializmi mund të përballojë në mënyrë efektive sfidat e ndërlikuara globale të sotme. Ata shtuan se Kuba do të mbetet e përkushtuar fuqimisht për thellimin e marrëdhënieve miqësore vëllazërore dhe të veçanta ndërmjet të dy vendeve.