Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, inauguruan shkollën e rindërtuar “Emin Duraku”, në Tiranë, një nga 25 shkollat e reja që hapën dyert për nxënësit me fillimin e vitit të ri shkollor.
Shkolla (Foto ATSH)
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm nxënës, mësues, prindër dhe drejtues të institucioneve arsimore.
Në përurimin e saj, ministrja Manastirliu e vuri theksin tek investimet që janë bërë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore jo vetëm në shkollat e Tiranës, por në të gjitha shkollat në vend.
“100 shkolla përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar ose janë në proces rehabilitimi. 40 kantiere të reja në të gjithë vendin tashmë janë hapur dhe brenda këtij viti shkollor edhe këto objekte arsimore do t’i shtohen kolanës së shkollave të rehabilituara që garantojnë standarde shumë të mira për nxënësit dhe për mësuesit”,- tha ministrja Manastirliu.
Ajo dha edhe lajmin se shumë shpejt do të prezantohet edhe paketa e re e kurrikulës, pasi ka nisur puna për rishikimin e saj.
“Programet mësimore janë duke u rivlerësuar, sepse duam t’i përmirësojmë për të pasur tekste të reja në lëndët kyçe, sikurse është gjuha shqipe, matematika dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) ku ne jemi duke punuar për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë”,- tha ministrja e Arsimit.
Ministrja u ndal edhe të mbështetja e mësuesve, jo vetëm me rritjen e pagave por edhe me kualifikimin dhe trajnimin e tyre në vazhdim përmes sistemit të ri të kualifikimit dhe Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve që tashmë ka nisur fazën e dytë dhe ku po trajnohen 16 mijë mësues të gjuhës shqipe, matematikës, fizikës, kimisë dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. (Elona)