Ambasadori Gonzato (Foto ATSH)
Bashkimi Europian dhe vendet që kërkojnë të hyjnë në familjen europiane duhet të përafrojnë politikat e tyre të jashtme dhe ato të sigurisë, në mënyrë që të mbrojnë interesat e përbashkëta përballë sfidave të ndryshme, deklaroi ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të Nismës së Europës Qendrore.
Sipas ambasadorit Gonzato, vendet e Europës Qendrore janë në vëmendje të BE-së po aq sa edhe Ballkani, duke e kthyer procesin e zgjerimit në objektivin kryesor.
Gonzato u shpreh se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në kryerjen e reformave të thella dhe zhvillimin e një tregu të përbashkët rajonal që më pas të integrohet lehtësisht në tregun europian, citon “RTSH”.
“Në këtë nismë bëhen bashkë shtete anëtare ekzistuese me ata që duan t’i bashkohen për të rritur më shumë bashkëpunimin mes nesh për një Europë më të fortë. Ky rajon së bashku me Ukrainës dhe Moldavinë nuk janë thjesht fqinjë për BE-në, por partnerë strategjikë të BE-së dhe miqtë më të ngushtë. Ne po mundohemi që Ballkani Perëndimor të krijojë tregun e përbashkët rajonal pasi është themelor për të kaluar tregjet e vogla dhe t’i bëjë vendet më konkurruese”,- tha ambasadori Gonzato. (Elona)