Tanke (Foto Rtsh)
Turqia ka dënuar ofensivën tokësore të Izraelit në Liban si një përpjekje të paligjshme pushtimi dhe ka bërë thirrje për tërheqjen e trupave të saj.
“Ky sulm duhet të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe ushtarët izraelitë duhet të tërhiqen nga territori libanez. Shkelja nga Izraeli e sovranitetit dhe integritetit territorial të Libanit është përpjekje e paligjshme pushtimi”,- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme turke, shkruan “RTSH”.
Ankaraja zyrtare paralajmëron se kjo luftë ka të ngjarë të shkaktojë një valë të re emigrantësh.
“Si rezultat i kësaj përpjekjeje të rrezikshme pushtimi, ka shumë të ngjarë që të shfaqet një valë e re emigrantësh dhe ekstremistët të fitojnë terren në të gjithë botën”,- thuhet në deklaratë.
Nga ana e saj, ushtria izraelite bëri të ditur se trupat e saj janë përfshirë në përleshje të ashpra në Liban, pasi kanë nisur një ofensivë tokësore mëngjesin e të martës, duke përshkallëzuar luftën kundër grupit terrorist pas një jave sulmesh ajrore në vendet e Hezbollahut.
Turqia i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe të marrë masat e nevojshme.(Elona)