Java e Kulturës Kineze: Shqiptarët përjetojnë nga afër kulturën kineze
2024-10-02 12:41:16

“Nuk e prisja që ky film të ishte kaq emocionues. Ai na tregoi madhështinë e njerëzve të zakonshëm,” u shpreh një shikues shqiptar pasi pa filmin kinez “Heronjtë e zakonshëm”. Në këtë film, një stafetë jetësore prej 1 400 kilometrash shtjellon gjallërisht të vërtetën se "nuk ka heronj 'që bien nga qielli', por vetëm njerëz të zakonshëm që dalin përpara sfidave me guxim".

Java e Kulturës Kineze e vitit 2024 organizohet nga ambasada e Kinës në Shqipëri, Ministria shqiptare e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia e Tiranës. Një nga përmbajtjet e rëndësishme të kësaj veprimtarie është "Java e filmit kinez", e cila mbështetet nga Administrata Kombëtare e Filmit e Kinës. Më shumë se 150 shikues ndoqën filmin "Heronjtë e zakonshëm".

Artistët kinezë shfaqin aftësitë e tyre në ekspozitën e artit. (Foto: Ambasada e Kinës në Shqipëri)

Java e Kulturës Kineze, që mbahet prej tre vjetësh radhazi, u ka mundësuar gjithnjë e më shumë shqiptarëve të njohin Kinën dhe kulturën kineze, si edhe ka bërë që kultura kineze të depërtojë ngadalë në zemrat e shqiptarëve.

Një tjetër aktivitet i rëndësishëm i javës kulturore është "Ekspozita e përbashkët artistike për përkujtimin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë." Artistët e të dy vendeve bashkëpunuan për të paraqitur një festë pamore. Një artist që drejton një galeri në Tiranë tha se vitet e fundit gjithnjë e më shumë artistë dhe vepra kineze janë bërë të njohura. Atij i kanë lënë përshtypje shumë vepra në ekspozitën e sotme, dhe veçanërisht disa nga teknikat e pikturës e kanë bërë që t'i admirojë sinqerisht.

Kryetari i Shoqatës Kulturore Alb-China Iljaz Spahiu duke folur në ceremoninë e hapjes së "Javës së filmit kinez". (Foto: "Xinhua")

Kultura dhe arti janë një urë që lidh zemrat e njerëzve dhe afron të dy vendet, tha znj. Pang Chunxue, ambasadorja kineze në Shqipëri në ceremoninë e hapjes së ekspozitës. Ajo shprehu shpresën që ekspozita të bëhet një dritare për të gjithë për të kuptuar dhe përjetuar kulturën kineze.

Ambasada kineze është e gatshme që të punojë me përfaqësues nga të gjitha sferat e jetës në Shqipëri për të promovuar vazhdimisht shkëmbimet kulturore dhe dialogun mes Kinës dhe Shqipërisë dhe do të përpiqet të krijojë një situatë të re në shkëmbimet njerëzore ndërmjet të dy vendeve, vuri në dukje ambasadorja Pang.

Kryetari i Shoqatës Kulturore Alb-China Iljaz Spahiu, i cili ishte përgjegjës për përkthimin e filmave kinezë, ka përkthyer shumë romane nga shkrimtarë të famshëm kinezë, si Mo Yan dhe Yu Hua. Ai është thellësisht i vetëdijshëm për fuqinë e shkëmbimeve kulturore. “Nëpërmjet këtyre romaneve, shqiptarët, veçanërisht të rinjtë, e kuptojnë Kinën dhe jetën e shumë kinezëve të zakonshëm. Gëzimet dhe hidhërimet e tyre e kanë kthyer Kinën nga një emër abstrakt në një imazh të gjallë. Kultura kinezë është si një farë e mbjellë në zemrat e popullit shqiptar,” tha ai me emocion.

Shqiptarë dhe turistë konkurrojnë për të provuar shijet kineze. (Foto: "Xinhua")

Java e kulturës sjell jo vetëm një festë pamore, por edhe një kënaqësi dëgjimore. Artistët nga Orkestra Simfonike e Teatrit të Operës dhe Vallëzimit të Kinës interpretuan për të pranishmit melodi si "Retë shumëngjyrëshe që ndjekin hënën", "Natën e mirë", "Të lëvizim rremat" dhe "Fëmijëria". Veçanërisht kënga e famshme "Tiranë-Pekin" e bashkëluajtur nga muzikantë të të dy vendeve, fitoi duartrokitje të zjarrta nga publiku.

Ushqimi është një lidhje e rëndësishme në shkëmbimet kulturore. Në "Festivalin e ushqimit kinez", pjesë e Javës së Kulturës Kineze, jo vetëm që mund të shijosh ushqime tradicionale kineze, si qofte të skuqura, mish derri të ëmbël dhe të thartë, oriz Yangzhou të skuqur, por edhe mund të shohësh erashka letre kineze, vepra letërprerjeje dhe punime të tjera të shkëlqyera artistike. Përpara disa tezgave, njerëzit u rreshtuan në radhë të gjata.

Ndonëse festivali kulturor njëjavor nuk është i gjatë, përvoja e mrekullueshme që sjell ai për popullin shqiptar do të mbillet në zemrat e njerëzve si një farë që lëshon rrënjë e mbin në të ardhmen.