Foto nga VCG
Moganshan po tërheq një numër të madh të rinjsh, po sjell ide, mendime e jetë të re dhe po krijon një brez të ri "fshatarësh".
Mogan, i vlerësuar si "mali i parë në jug të lumit Jance", ndodhet në provincën Zhejiang të Kinës Lindore dhe është sa rural, aq dhe romantik. Në përshtypjen e parë të muzikantit Luo Zhiqiang, mali Mogan është një vend arti. "Përmbajtja që i nevojitet, nuk duhet të kufizohet në sektorin konvencional të turizmit. Shpresoj ta zhvilloj malin Mogan nëpërmjet muzikës," shprehet ai.
Kur erdhi në Moganshan, Luo Zhiqiang bëri dy gjëra: ndërtoi një bujtinë me temën e muzikës dhe krijoi një kompani festivalesh muzikore me emrin "Mali Mogan".
Si muzikant, Luo Zhiqiang-ut i lanë përshtypje të thella Festivali Ndërkombëtar Muzikor i Bathit dhe Festivali i Xhazit i Monrosë, të emërtuara sipas qyteteve. "Kur flasim për këto festivale muzikore, fansat e muzikës kujtojnë jo vetëm vetë festivalin, por edhe peizazhin e bukur të qytetit," thekson Luo. Ai shpreson që Festivali Muzikor i Malit Mogan të bëhet gjithashtu një festival i njohur.
Foto nga VCG
Në korrik të vitit të kaluar, me mbështetjen e Luo Zhiqiang-ut, për dy ditë radhazi, Festivali i parë Muzikor i Malit Mogan u mbajt me pasion në lëndinën 15 000 metra katrorë rrëzë malit Mogan, me më shumë se 10 000 të rinj që kënduan aty.
Wan Cong, një i ri që ka studiuar dizajn animacioni, i pëlqen sportet në natyrë dhe është kreu i Kompanisë së Zhvillimit të Sporteve dhe Kulturës "Langtu" në provincën Zhejiang. Ai aktualisht po përgatitet për garën e vrapimit malor Kailash në malin Mogan, e cila ka filluar që nga viti 2017 dhe organizohet një herë në vit. Popullariteti i saj nuk është zbehur kurrë dhe, siç thotë Wan Cong, "vendet mbushen pothuajse plot brenda tre orëve nga hapja e regjistrimit."
Popullariteti është rrjedhojë e bashkëpunimit të mirë midis investitorëve dhe pushtetit vendor. Për çdo garë, kuadrot e qytetit dhe të fshatit shërbejnë të gjithë si vullnetarë. Në disa pika furnizimi, shpesh ka vullnetarë që qëndrojnë deri herët në mëngjes. Si rezultat, veprimtari të mëdha sportive janë organizuar njëra pas tjetrës në malin Mogan. "Sporte +" e ka sjellë zhvillimin dhe integrimin e qytezës Mogan në një nivel më të thellë. Vitin e kaluar, në sektorin e turizmit ekologjik në malin Mogan, baza sportive priti më shumë se 70 000 vizitorë dhe arriti një vlerë prodhimi prej 42 milionë juanësh, duke sjellë një rritje 12 % në përmasën e zënies së banesave turistike.
Foto nga VCG
Nëse nuk do të kishte krijuar një bujtinë, Ji Xiaoxiang-u mund të ishte bërë një planifikues i shkëlqyer urban në Shangai. Por në moshën 30-vjeçare, trajektorja e jetës së tij u devijua nga mali Mogan. Ai e la punën dhe shkoi në një luginë më shumë se 200 kilometra larg Shangait me miqtë për të ndërtuar një bujtinë të quajtur "Dalezhiye", që do të thotë "vend i bukur i harruar".
Tani Ji Xiaoxiang ka filluar të mendojë për drejtimin e ardhshëm, dhe sipas planit të vet të ri, ai do të integrojë përmbajtje unike, si kafeja, ushqimi, aktivitetet kulturore e krijuese, aktivitetet eksperimentale dhe edukimi prindër-fëmijë. Prandaj, ka shumë nënmarka të "Dalezhiye"-së, të cilat mund të shihen jo vetëm në bujtina, por edhe në tregjet bujqësore vendore.
Ke Tingye është një vajzë që ka studiuar jashtë Kinës. Sipas saj, mali Mogan jo vetëm që do të jetë sinonim i shtëpive në të ardhmen, por mund të bëhet edhe një destinacion i stilit të jetesës. "Komuniteti i nomadëve digjitalë" është një koncept që ajo hasi gjatë studimeve jashtë vendit. Në nëntor të vitit të kaluar, ajo zhvendosi modelin "bashkëjetesë, bashkëkrijim + zyrë e përbashkët" në malin Mogan. Ke Yingye krijoi kooperativën "Muke" për të mirëpritur mysafirët, duke lejuar shumë të rinj të vijnë për të qëndruar këtu.
Kur hap derën, shikon të rinj të zhytur në punë në mjedisin publik në katin e parë, ndërsa kur ngjit shkallët, vëren që ka hapësirë për filma, lexim, jogë, meditim, e madje edhe për ekstazë.
Foto nga VCG
Siç shpreson Ke Tingye, një ekosistem unik po formohet ngadalë këtu, duke tërhequr më shumë të rinj.
Sot 3 000 të rinj nga krahina të ndryshme të Kinës janë mbledhur në luginën e malit Mogan për të punuar e jetuar. Kur vijnë të rinjtë, pushteti vendor ofron mbështetje në formën e stimujve me politika e mbështetjes publike. Nëse i plotësoni kushtet dhe merrni "Certifikatën e malit Mogan", mund të shijoni edhe shumë "kanale të gjelbra" për punësim, trajtim mjekësor, shkollim, strehim, argëtim etj. (Çang Çuo)