Zedhenesi i Kremlinit (Foto Rtsh)
Kremlini njoftoi se ndryshimet në doktrinën bërthamore të Rusisë janë përgatitur dhe janë gati të finalizohen. Kjo do të thotë se dokumentet përkatëse që specifikojnë kushtet në të cilat Rusia mund të përdorë armët bërthamore do të përditësohen, shkruan “RTSH”.
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin javën e kaluar se sipas ndryshimeve të propozuara në doktrinë, Rusia mund të përdorë armë bërthamore nëse goditet nga raketa konvencionale dhe do të konsiderojë çdo sulm kundër saj të mbështetur nga një fuqi bërthamore një sulm të përbashkët.
Ndryshimet shihen gjerësisht si një përpjekje e presidentit rus për të tërhequr një vijë të kuqe për SHBA-në dhe aleatët e saj, duke dërguar mesazhin se Rusia do të konsiderojë të përgjigjet me armë bërthamore, nëse lejojnë Ukrainën të godasë thellë territorin rus me raketa me rreze të gjatë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se amendamentet janë përgatitur dhe tani do të finalizohen.
Peskov përmendi situatën ndërkombëtare, përshkallëzimin e tensioneve pranë kufijve të Rusisë dhe rritjen e afërsisë së infrastrukturës së NATO-s me to, dhe atë që ai e quajti një përfshirje më të thellë të forcave bërthamore perëndimore në konfliktin e Ukrainës, në anën e Kievit zyrtar, si sfond për ndryshimet në doktrinë. (Fatosi)