Shtohen flamingot në Lagunën e Nartës
2024-10-01 11:12:22

Flamingo (Foto Sotnews)

Flamingo (Foto Sotnews)

Laguna e Nartës, që vlerësohet nga biologët si ndër zonat natyrore të paprekura të Europës, ka shënuar këtë vit popullatën më të madhe të flamingove, shkruan “RTSH”.

Studiuesit thonë se këtë vit është regjistruar një shifër rekord e popullatës së flamingove në Lagunën e Nartës me rreth 5300 individë. Ata përbëjnë rreth 4% të popullatës europiane të këtij lloji.

Por, sipas studiuesve, habitati i flamingove rrezikohet nga planet për zhvillimin e ndërtimeve në funksion të turizmit masiv.

Aeroporti i madh ndërkombëtar i Vlorës po ndërtohet fare afër zonës ku jetojnë flamingot. Punimet për ndërtimin e Aeroportit vijojnë dhe pritet të përfundojnë brenda këtij viti, për t’ia lënë vendin vitin e ardhshëm përgatitjeve për operimin e mëtejshëm të aeroportit.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, sipas qeverisë shqiptare, sjell një zhvillim turistik të këtij rajoni dhe përmirëson ekonominë e banorëve ndërsa organizatat shqiptare për mbrojtjen e mjedisit i kanë kundërshtuar këto plane. (Fatosi)