Drejt përfundimit punimet për të mbrojtur Xhaminë e Plumbit nga përmbytjet
2024-10-01 11:12:00

Xhamia e Plumbit (Foto Amfora.al)

Punimet për ndërtimin e strukturës mbrojtëse nga përmbytjet të Xhamisë së Plumbit, në Shkodër, janë në fazën e përfundimit, njofton “RTSH”.

Ky projekt, që zbatohet për herë të parë në Shqipëri, pritet t’i japë zgjidhje mbrojtjes së një prej monumenteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare dhe asaj botërore.

Brenda rrethimit po vendosen edhe një sistem pompash që bëjnë të mundur edhe largimin e ujit rreth xhamisë në rast përmbytjesh.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitit 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu. Ajo është shpallur Monument Kulture në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha osmane.

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. Ajo renditet në vendin e 37-të, para xhamisë “Vahsiz Khan” në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë “Jami Ul Alfar” në Sri Lanka. Në vendin e 31 renditet Xhamia Blu në Stamboll të Turqisë, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare është Xhamia e Madhe në Paris. (Fatosi)