Pentagoni (Foto Shqiptarja.com)
Ushtria amerikane njoftoi se po rrit aftësitë e saj të mbështetjes së operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme dhe se po vendos trupa shtesë në gjendje gatishmërie për dislokim të mundshëm në rajon, ndërsa paralajmëroi Iranin kundër zgjerimit të konfliktit, shkruan “RTSH”.
Njoftimi erdhi dy ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, udhëzoi Pentagonin të riorganizojë forcat amerikane në Lindjen e Mesme, mes shqetësimeve në rritje se vrasja nga Izraeli e udhëheqësit të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, mund të shkaktojë reagime hakmarrëse nga Teherani zyrtar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vendosura të frenojnë Iranin dhe grupet e mbështetura nga Teherani zyrtar nga shfrytëzimi i situatës së tanishme, apo përpjekjet për zgjerim të konfliktit”,- deklaroi zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajori Patrick Ryder.
Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse Irani apo grupet që mbështeten nga Teherani zyrtar përdorin këtë moment për të vënë në shënjestër personelin amerikan ose interesat amerikane në rajon, SHBA-ja do të marrë çdo masë të nevojshme për të mbrojtur njerëzit e vet.
Sipas deklaratës, forcat amerikane po përgatiteshin për dislokim, në rast se kjo do të ishte e nevojshme.
“Shefi i Pentagonit rriti gatishmërinë e forcave amerikane shtesë për dislokim të mundshëm, duke shtuar gatishmërinë tonë për t'iu përgjigjur situatave të ndryshme”,- theksoi zëdhënësi i Pentagonit. (Fatosi)