Shqipëria dhe Kina shënojnë në nëntor të këtij viti 75 vjet të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Kjo përkon dhe me 75 vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës më 1 tetor 1949. Marrëdhëniet midis dy vendeve në shekullin e kaluar janë zhvilluar mbi një kontekst ideologjik, shoqëruar me një ndihmë të madhe ekonomike të pales kineze për industrializimin e Shqipërisë, por dhe shkëmbime kulturore dhe njerëzore që shënuan kulmin e tyre në vitet 60-70. Pas ndërprerjes nga ana e pales shqiptare të marrëdhënieve dypalëshe në vitet 70-të për shkak të nisjes së reformave të hapjes së Kinës, Shqipëria u izolua tërësisht, duke krijuar një deficit prej 40 për qind të realizimit të investimeve, të cilat para kësaj ndërprerjeje realizoheshin me ndihmat kineze.
Foto nga VCG
Këto marrëdhënie paraqesin një histori krejtësisht të ndryshme pas viteve 90-të kur Shqipëria, si një vend demokratik nisi të zbatonte ekonominë e tregut.
Në këto 75 vite bashkëpunim, të dyja vendet kanë lidhur mbi 60 marrëveshje ekonomike. Shkëmbimet mes dy vendeve në ekonomi, kulturë, arsim kanë shënuar rritje. Aktualisht këto marrëdhënie kanë mundësi të rritin nivelin e tyre të bashkëpunimit. Në vitin 2023, vëllimi tregtar mes të dyja vendeve i kaloi të 1 miliardë dollarët dhe Kina përfaqëson sot partnerin e dytë tregtar të Shqipërisë.
Shqipëria është anëtare e Mekanizmit të Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe partnere në nismën “Një Brez, Një Rrugë”.
Në vitin 2023, Kina dhe Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen e Heqjes së Ndërsjellë të Vizave dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Turistik.
Sipas INSTAT-it, në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë arriti në 47.7 miliardë lekë ose 480 milionë dollarë, me një rritje 25 përqind të eksporteve shqiptare drejt Kinës. Pavarësisht se vijnë nga një bazë e vogël, eksportet tona në Kinë, janë në shtim të dukshëm. Për periudhën janar-qershor 2024, eksportet e Shqipërisë drejt Kinës u rritën në nivelin e 55 milionë dollarëve, nga 43 milionë dollarë që ishin në janar-qershor 2023.
Të dyja palët kanë realizuar nënshkrimin e dokumentave të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit, duke nxitur një vrull të ri në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Mundësitë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kinës janë të hapura dhe të gjera, në të gjitha fushat e ekonomisë, kulturës dhe në fusha të tjera të interesit reciprok. Analistë dhe ekspertë shqiptarë komentojnë për Grupin Mediatik të Kinës historinë e këtyre marrëdhënieve dhe potencialin e rritjes së nivelit të bashkëpunimit dypalësh.
Arjan Starova, ish minister i jashtëm i Shqipërisë
Arjan Starova, ish minister i jashtëm i Shqipërisë, jep opinionin e tij për këto marrëdhënie dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve:
“Është një marrëdhënie që ka rezistuar gjatë në 75 vjet. Është e veçantë, por duhet respektuar dhe parë në këndveshtrim afatgjatë, pa patur parasysh debatet që bëhen sot. Kina ka arritur aty ku është dhe pritet të ecë më përpara.
Madje, në vitin 2030 komentohet dhe pritet të jetë ekonomia më e fuqishme e botës. Edhe pse ka akoma edhe 6 vjet, por, me këto ritme, besoj do të jetë e tillë.
Lidhur me nismën kineze “Një brez, një rrugë”, eksperti Starova vë në dukje se:
“Nisma “Një Brez, Një Rrugë” është një mundësi e madhe. Ky ekspansion i Kinës mund të përkthehet në dobi dhe vlera ekonomike. Unë e shoh si ekonomi. por është normale që çdo vend, çdo elitë politike të ketë edhe hezitimet e veta, të ketë kujdes. Por ky kujdes nuk është bërë bllokues nga asnjë vend i Europës. Në Kinë ka pafund edhe investime amerikane dhe në SHBA ka pafund investime kineze.
“Një Brez, Një Rrugë” mendoj që është perspektivë e shkëlqyer e marrëdhënieve. Ideja e kinezëve është që një shkëmbim i madh midis njerëzve është edhe shkëmbim vlerash.”
Si e shikon perspektivën e këtyre marrëdhënieve eksperti Starova
“Është një marrëdhënie, e cila, përtej gjithë ngërçeve dhe zigzakeve, ka mbijetuar. Dhe kjo është meritë jo vetëm e popujve, por edhe e elitave politike, pavarësisht pikpamjeve të ndryshme që ato kanë. Është një marrëdhënie, e cila, përtej gjithë ngërçeve dhe zigzakeve, ka mbijetuar. Dhe kjo është meritë jo vetëm e popujve, por edhe e elitave politike, pavarësisht pikpamjeve të ndryshme që ato kanë.
Pra, me Kinën nuk mund të shihet marrëdhënia me frikëra, me trysnira dhe me mosbesim. Me Kinën është një marrëdhënie, e cila mund të zhvillohet, pasi ka perspektivë. Kjo varet si nga faktori ekonomik, por edhe patjetër, dhe nga ai politik”.
Dr. Albert Rakipi, Kryetar i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare
Marrëdhëniet diplomatike 75 vjeçare Shqipëri-Kinë dhe modelin e zhvillimit të tyre në të ardhmen, e komenton dhe kryetari i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare Dr. Albert Rakipi
“Është një periudhë e gjatë kohore, një marrëdhënie me ulje-ngritje dhe është një marrëdhënie asimetrike. Shqipëria një vend i vogël nga përmasat, popullsia, ekonomia, por dhe nga roli që ka secili vend në politikat ndërkombëtare, kurse Kina është një vend i madh dhe një fuqi globale në politikën ndërkombëtare dhe ekonominë. Në këto 75 vjet janë zhvilluar marrëdhënie dhe kanë qenë mjaft të rëndësishme për Shqipërinë.”
Personalisht jam pro një politike 360 gradë, duke respektuar këtë lloj identiteti dhe këto principe që Shqipëria ka në arenën ndërkombëtare. Në këtë kontekst është formula “agree to disagree” për një numër vendesh që në raport jo vetëm me Kinën por dhe me vende të tjera, mund të mos bien dakord për një numër çeshtjesh të caktuara, të cilat mund të jenë edhe të rëndësishme, por kjo nuk do të thotë, sipas meje, të refuzojmë në mënyrë kategorike marrëdhëniet. Çdo vend shikon interesat e veta shtetërore, ekonomike e të tjera dhe besoj se shembujt i kemi të qartë.
Të ndjekim shembujt e vendeve anëtare të BE-së, nuk po them Gjermaninë ose Italinë, sepse janë vende shumë të rëndësishme dhe fuqi europiane që bëjnë politikat europiane dhe me rol në politikat globale, por ka vende të tjera anëtare të BE-së, përveç se anëtare të NATO-s, siç është Sllovenia dhe Kroacia. Këto vende janë më përpara se ne dhe janë pjesë e një familjeje që ndajnë të njejtat vlera. Duhet të ndjekim shembujt e këtyre vendeve për të zhvilluar marrëdhëniet me Kinën, duke prevaluar gjithmonë interesi shtetëror dhe kombëtar. Në këtë kontekst besoj se duhen orientuar marrëdhëniet me Kinën dhe 75 vjetori është një moment i mirë reflektimi për të dyja palët, një gjigant siç është Kina dhe një vend i vogël modest siç jemi ne, por me avantazhet dhe interesat që kemi.
Duhet një proces reflektimi për të parë se cilat mund të jenë zhvillimet e reja në marrëdhëniet ekonomike, sepse kjo është e rëndësishme
Shkëmbimet ekonomike dhe ato tregtare veçanërisht midis dy vendeve kanë prevaluar në marrëdhëniet tërësore mes tyre pas viteve 90-të dhe aktualisht.
Prof.dr. Selami Xhepa, President i UET
Prof.dr. Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës (UET) ndan opinionin e tij për zhvillimin ndër dekada të këtyre marrëdhënieve
“Kina është një vend mjaft i madh dhe me peshë të rëndësishme në skenën botërore. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën ishin të privilegjuara dhe speciale. Mendoj se ka qenë dhe një sakrificë nga ana e popullit kinez për këto marrëdhënie, sepse Kina sot është një nga ekonomitë më moderne të botës, ndërsa në atë periudhë të marrëdhënieve ishte një vend mjaft i varfër dhe po të shikojmë mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në mallra ushqimore, në krijimin e industrive, të rëndësishme për vendin tonë sidomos në sektorin e energjisë, në zhvillimin e industrisë së rëndë, në mbështetjen e modernizimit të bujqësisë që vlerësohet se më shumë se 10 mijë traktorë dhe pajisje bujqësore kanë ardhur nga Kina në Shqipëri, kur dhe vetë Kina e lëronte tokën ndoshta me parmendë. Në kontekstin e asaj periudhe realisht ka qenë një mbështetje e çmuar për hedhjen e themeleve të një ekonomie moderne shqiptare”
Perspektiva e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë, parë në shkëmbimet e deritanishme dhe trajektoren e tyre analizohet nga prof. Selami Xhepa
“Kina tani është shndërruar në lokomotivë që udhëheq rritjen e ekonomisë botërore. Sot ajo kontribuon në 17 % të tregut botëror, po kaq sa kontribut jep i gjithë Bashkimi Europian.
Pra, po flasim për fuqinë e dytë ekonomike më të madhe dhe të rëndësishme për ekonominë botërore. Kina është e tillë, pasi është prezente në të gjithë sistemin e tregtisë ndërkombëtare.”
Për investimet kineze në Shqipëri prof. Xhepa i konsideron të mirëpritura
“Investimet nga Kina janë të mirëpritura tek ne, sidomos kur flasim për sektorin privat të ekonomisë, duke patur parasysh që mundësitë buxhetore të Shqipërisë janë gjithmonë të kufizuara. Pra, kapacitetet tona fiskale për huanmarje janë gjithmonë të kufizuara. Kjo e bën të vështirë pjesëmarrjen e një investitori të madh, siç është Kina, në një treg kaq të vogël dhe me mundësi të kufizura financiare, siç është Shqipëria. Ky mendoj se është faktori kryesor, pse Shqipëria nuk tërheq dot investime në shkallë të gjerë, sikurse kanë mundur të bëjnë vendet e tjera të rajonit. Kina pa diskutim që shikohet si një treg me rëndësi. Ky proces i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes BE-së dhe Kinës, mendoj se do të ndikojë ndjeshëm edhe në pozicionimin që do të mbajë Shqipëria në këtë kontest. Bazuar në konceptet e industrive strategjike dhe të sigurisë kombëtare, do të kemi ndoshta një ripërshtatje të politikave. Në këtë kuadër, sigurisht që Shqipëria e konsideron Kinën një treg mjaft të rëndësishëm dhe gjykoj se do ta ketë një partner kryesor ekonomik edhe në vitet e ardhshme.”
Bardhi Sejdarasi, ekspert ekonomie
Në analizën e këtyre marrëdhënieve eksperti i njohur dhe analisti i çeshtjeve ekonomike Bardhi Sejdarasi, vlerëson rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ekonomik
“Ndërsa aktualisht Kina nga vendi i pestë në marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë ze vendin e dytë në këto marrëdhënie. Volumi tregtar i vitit 2023 ka qenë 1 miliard dollarë dhe kjo nuk është pak. Ekonomia shqiptare duhet të plotësojë disa standarde sepse tashmë në Kinë dhe vende të tjera nuk mund të bësh më shkëmbime pa standarde.
Ndërkohë nënshkrimi i disa memorandumeve me Kinën, heqja e vizave, pjesëmarrja në nismën “Një brez, një rrugë” pra këta elementë dhe elementë të tjerë tregtarë kanë në themel miqësinë tradicionale që nuk duhet harruar sepse të dy popujt pavarësisht jetës së sotme moderne nuk e kanë tjetërsuar këtë miqësi.
Gjithashtu teknologjia e avancuar e Kinës mund të vijë në Shqipëri në mënyrë graduale. Nuk ka nevojë sot që të blihen makinat elektrike në dorën e dytë, të tretë apo të katërt, por mund të blihen direkt.
Mund të tentohet të vendosen linjat e komunikimit direkt, sepse nëse ne kemi sot dhjetra shoqëri fluturimi që vijnë në Rinas, apo që do të vijnë së shpejti në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duhet të mendojmë që sot për të vendosur linja direkte të fluturimit. Po ashtu të vendosim tregun rajonal ballkanik që të kemi mundësi shkëmbimesh, por ne duhet të punojmë për të plotësuar standardet dhe për të rritur eksportet nga Kina. Të ardhurat nga tregu kinez janë të jashtëzakonshme dhe ka individë që bashkëpunojnë me këtë treg dhe janë shumë të kënaqur nga korrektësia e investitorëve dhe nevoja që ka ky treg për një pjesë të produkteve tona.
Qeveritë duhet të krijojnë mundësi të tilla që qoftë biznesi shqiptar drejt Kinës, apo ai kinez drejt Shqipërisë të kenë mundësi t’i afrojnë edhe për shkak të miqësisë tradicionale dhe dëshirës së mire që kanë bizneset e të dy vendeve për të ecur përpara.”
Ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Arjan Starova nënvizon rëndësinë e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kinës
“Mallrat kineze janë konkurruese në botë, nga gjërat më të vogla tek automobilat elektrikë.
E para, është normale që tek ne të ketë interes për importet nga Kina.
E dyta, çmimet janë nga më të ultat, krahasuar me të tjerët. Megjithëse kohët e fundit edhe çmimet e produkteve kineze kanë një rritje dhe kjo është normale. Por mallrat kineze janë edhe më lirë, në krahasim me mallrat e fuqive të tjera të mëdha.
Në këto kushte, tregtia synon të marrë mallrat e larmishëm dhe i merr edhe më lirë, megjithë transportin e kushtueshëm, ngaqë tregu është aq larg”.
Sinologu Iljaz Spahiu
Sa i përket shkëmbimeve kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës sinologu i njohur shqiptar Iljaz Spahiu sjell opinionin e tij edhe në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë
“Me kremtimin e 75 vjetorit të marrëdhënieve midis dy vendeve nëse themi se këto marrëdhënie vazhdojnë të jenë të mira, kontributi kryesor është i shkëmbimeve kulturore. Marrëdhëniet Shqipëri-Kinë kanë arritur t’i rezistojnë të gjitha periudhave, të gjitha ndryshimeve dhe nëse marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë ideologjike, lidhja mes dy popujve nuk ka ndryshuar. Kjo lidhje shpirtërore dhe marrëdhëniet kulturore kanë konsoliduar marrëdhëniet mes vendeve tona.
Turistët gjithashtu sjellin dhe përçojnë kulturën e një vendi. Turistët kinezë janë të interesuar për turizmin kulturor, për vendet që kanë lidhje me Kinën. Turizmi kulturor do të ndihmojë forcimin e marrëdhënieve dhe të shkëmbimeve kulturore.
Marjana Doda, kryeredaktore e Argumentum.al
Shkëmbimet njerëzore misid Shqipërisë dhe Kinës i komenton kryeredaktorja e portalit online “Argumentum.al”, Marjana Doda
“Të dy vendet tona janë kombe të vjetra. Shkëmbimet njerëzore janë ato që i forcojnë marrëdhëniet ndërshtetërore në përgjithësi. Më parë këto marrëdhënie njerëzore i kanë mbajtur studentët, por tani janë shtuar turistët nga Kina, kjo falë dy marrëveshjeve që janë formalizuar vitin e shkuar mes dy vendeve tona.Heqja e vizave është një hap i rëndësishëm që i lehtëson marrëdhëniet njerëzore dypalëshe. Ndërkohë ka shumë studentë shqiptarë që studiojnë në Kinë, sikundër kemi dhe studentë kinezë në Shqipëri. Duke qenë se turizmi është shtylla kryesore e ekonomisë shqiptare marrëveshja për bashkëpunimin në turizëm që u formalizua vjet ka rëndësi të veçantë. Shkëmbimet në fushën e biznesit, ato akademike, kulturore dhe njerëzore ndërtojnë ura bashkëpunimi mes dy vendeve tona”
Përgatiti Eda Merepeza